Mesazhi i tifozëve boshnjakë “Mirësevini, lojtarë nga Kosova e Pavarur” drejtuar hendbollistëve kosovarë ka “çmendur” mediat në Serbi, shkruan lajmi.net.
Kombëtarja e Kosovës në hendboll po përballet në Tuzlla me Bosnjë e Hercegovinën në ndeshjen e dytë kualifikuese për Euro 2024.
Gjatë intonimit të himnit të shtetit të Kosovës, tifozët e Bosnjë e Hercegovinës shpalosën mesazhin e ngrohtë për hendbollistët “dardanë”.
I menjëhershëm ishte reagimi edhe i mediave serbe në Beograd të cilat e quajtën “skandal” mesazhin e tifozerisë boshnjake.
“Skandal në Tuzlla: Tifozët e Bosnjë e Hercegovinës e përshëndetën me një pankartë të turpshme ndeshjen kundër Kosovës false” – thuhet në titullin skandaloz të “espresso.rs”, transmeton lajmi.net.
Organizatorët e kësaj sfide i ka kritikuar gazeta serbe “Informer”.
“Thyerje dhe turp në Tuzla! Skena për të cilat organizatori duhet të ketë turp janë parë në ndeshjen e hendbollit të Bosnjë-Hercegovinës dhe të ashtuquajturës Kosova” – shkruan gazeta në fjalë.
Kjo nuk është hera e parë që mediat në Serbi raportojnë në mënyrë skandaloze kur bëhet fjalë për shtetin e Kosovës, të cilën ata ende e konsiderojnë si pjesë të Serbisë, anise realiteti është krejtësisht ndryshe.