Një rast dhune raportohet të ketë ndodhur në fshatin Ribar i Madh në Lipjan, ku një burrë dyshohet se e ka sulmuar gruan e tij, por i njëjti është liruar nga Prokurori.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur sot dhe është denoncuar nga viktima, e cila e ka raportuar burrin, për dhunën që ka ushtruar ndaj saj.
Siç mësohet, e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje mes tyre, që eskaloi nga dhuna psikike në dhunë fizike. I dyshuari e ka sulmuar gruan e tij, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore, për çka ajo u detyrua që të kërkojë ndihmën e Policisë.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin, ndërsa viktima është dërguar te familja e saj.
Ndaj të riut që po dyshohet për dhunë në familje, Prokurori nuk ka urdhëruar masën e ndalimit policor, por vetëm inicimin e rastit dhe lirimin e tij për t’u hetuar në procedurë të rregullt, shkruan Sinjali.
Rastet e tilla kur burrat e dyshuar për dhunë ndaj vajzave dhe grave lirohen nuk janë të rralla dhe shpesh ka ngritur debat në opinion se organet e rendit nuk po bëjnë mjaftueshëm për këtë dukuri shqetësuese, që është kthyer në tragjedi për shumë familje.