Ka kaluar një javë prej kur Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si të papranueshme kërkesën e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani rreth emërimit të dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e megjithatë ende nuk është bërë emërimi i të njëjtëve.
Derisa nga Partia Demokratike e Kosovës thonë se është e papranueshme një vonesë e tillë në kompletimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga shoqëria civile thonë se një gjë e tillë duhet të bëhet vetëm pas publikimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Nga Zyra e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, nuk kanë kthyer përgjigje, se kur do të bëhet emërimi i dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Këtë vonesë në emërimin e të njëjtëve e quan të panevojshme sekretari elektoral i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, i cili thotë se moskompletimi i KQZ-së po ndikon edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale.
Ai potencon se kanë pritur që anëtari i dytë i PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të emërohet qysh në fillim të kësaj jave, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Në këtë vendim që e ka marrë Gjykata Kushtetuese kemi paralajmëruar me kohë, ka qenë e panevojshme vonesa e presidentes në mos kompletimin e KQZ-së. Ajo është dashur që 60 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve ta kompletojë KQZ-në. Kërkojmë nga presidentja e vendit që ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe sa më parë të na e jep të drejtën tonë kushtetuese që kemi si PDK që të kemi anëtarin e dytë në KQZ, ashtu siç e thotë edhe Kushtetuta e Kosovës, Ligji për zgjedhje po edhe praktika e deri më tanishme…Ne më kohë kemi kërkuar nga presidentja e vendit që ta luaj rolin e vet kushtetues, si njëri që përfaqëson unitetin qytetar, pra të jetë mbi partitë politike dhe tashmë e ka momentin që të tregojë që është e paanshme. Ne kemi pritur që qysh në fillim të kësaj jave do të na caktojë apo do të na emërojë anëtarin e dytë”, thotë ai.
Në rast se presidentja nuk do të emërojë anëtarin e dytë të Partisë Demokratike në KQZ, Gjoshi thotë se atë vendim do ta kontestojnë në Gjykatën Kushtetuese.