Në moshën 13-vjeçare, ai, së bashku me prindërit dhe vëllezërit, la pas Kosovën për të nisur një kapitull të ri në Zvicër, në kërkim të një jete më të mirë.
Familja e tij u përball me sfida të shumta të emigrimit, por falë përkushtimit dhe punës së palodhur, arriti të ndërtojë një jetë të qëndrueshme në vendin e alpeve.
Që nga mosha e re, ai u përfshi në tregun e punës dhe për 37 vite radhazi, deri në moshën 50-vjeçare, mbeti besnik të njëjtës punë, që reflekton një shembull të përkushtimit dhe qëndrueshmërisë.
Gjatë kësaj kohe, ai ndërtoi një familje të lumtur, duke krijuar një jetë të thjeshtë, por të mbushur me vlera, së bashku me gruan dhe tre djemtë e tyre, të cilët u rritën, u shkolluan dhe tani punojnë në Zvicër.
R.M me prejardhje nga Gjilani, vendimin drastik për t’u kthyer përgjithmonë në Kosovë e kishte marrë në vitin 2019.
Gjatë jetës 37 vjeçare në Zvicër, ai jo vetëm që ka ndërtuar një karrierë të suksesshme, por edhe një familje të rritur në frymën kosovare e me dashuri të pashtershme ndaj Kosovës.
Në moshën 50-vjeçare, pas një jete të tërë larg vendlindjes, ai vendosi së bashku me bashkëshorten, të kthehen për të kaluar vitet e tyre të arta në vendin ku gjatë gjithë jetës kalonin vetëm dy javë pushim – e që nuk u ngopën kurrë.
Megjithatë, djemtë e tij zgjodhën të vazhdojnë jetën dhe karrierën në Zvicër, duke ndjekur rrugën që familja kishte hapur dekada më parë.
E në prag të 50 vjetorit të tij, R.M, morri vendimin emocional të menduar shumë gjatë për t’u kthyer në Kosovë.
“Ishte koha për t’u kthyer në rrënjët tona”, u shpreh ai.
Historia e tij pasqyron udhëtimin e një emigranti që, megjithëse u largua fizikisht nga Kosova, kurrë nuk harroi rrënjët e tij.
Kjo dëshmon për sakrificën, përkushtimin dhe dashurinë për atdheun, duke na kujtuar se kthimi në shtëpi është gjithmonë një mundësi, pavarësisht sa larg mund të jetë ajo.
“Isha shumë i ri kur babai im vendosi të largoheshim bashkë me 4 vëllezërit e mi drejt Evropës, gjendja në Kosovë nuk ishte për lakmi – e vetmja gjë që kishim ishte njëri tjetri”, u shpreh R.M për Enigmën.
“E braktisëm Kosovën, erdhëm në një vend me njerëz dhe kulturë komplet të kundërt me atë se çfarë ishim rritur ne, fillimi ka qenë jashtëzakonisht i vështirë – ne nuk e dinim as edhe një fjalë të vetme, gjë që na përballi me sfida nga më të ndryshmet. Por vullneti dhe ideja që një ditë do të kthehem në Kosovë, më shtyu të kaloj çdo pengesë gjatë jetës”, vazhdoi R.M.
“Me kalimin e viteve, mësuam gjuhën, filluam punën, por, tema kryesore çdo herë kur mblidheshim me familjarë e shokë shqiptarë, ishte se ‘kur po shkojmë në Kosovë’, e një gjë që na vriste dëshirën e flaktë që kishim ishin ato pak dy javë pushim veror, të cilat kurrë por kurrë nuk mjaftuan!”, u shpreh ai.
“Ditët më të vështira ishin ato, pas pushimit që kalonim në Kosovë, kur vinte koha për t’u kthyer në Zvicër, e përshëndetja me familjarët – më vrisnin. Këto ditë nuk i kaloja lehtë aspak, ndihesha shumë i lënduar emocionalisht!”
“Të mos qenurit në Kosovë ishte një fakt me të cilin nuk u pajtova kurrë. Që në moshë të re 18-19 vjeçare, i kisha vendosur një synim vetës, që nëse jam gjallë dhe shëndosh në moshën 50 vjeçare do ta lë Zvicrën përgjithmonë bashkë me bashkëshorten, kurse fëmijët e mi do të kenë të drejtë zgjedhjeje”, potencoi R.M.
“Ne kemi punuar shumë dhe kemi ndërtuar një jetë mjaft të mirë në Zvicër, por qetësinë e rahatinë e kemi gjetur gjithmonë në Kosovë”
Dhe kështu bëri. “Mosha 50 vjeçare më priti në Kosovë – duke ia përmbushur ëndrrën vetës time për të cilën më janë mbushur sytë me lotë saherë që përmendej emri “Kosovë””, tha ai.
“Pas një jete të përkushtuar për të shijuar ditët e një jete të përhershme në Kosovë, u riktheva pa u menduar dy herë, dhe besoj që ky ka qenë një vendim i cili më ka dhënë jetë mua personalisht. Fëmijët e mi vazhdojnë të jetojnë e të punojnë në Zvicër, e unë po e jetoj ëndrrën time në Kosovë së bashku me bashkëshorten”, theksoi R.M.
Ai thotë se pati disa mendime negative për këtë vendim të tij. “Edhe pse ky vendim u komentua shumë nga të afërmit e mi, se ‘nuk ka jetë të mirë në Kosovë, kushtet nuk janë si në Zvicër’, e u konsiderua si një vendim i ‘gabuar’, e pse po i lë ‘djemtë’ – fjalë të tilla nuk më kanë lënë asnjë përshtypje e as nuk kanë sforcuar vendosmërinë time për të vazhduar jetën në Kosovë”, tha ai.
Ai tash e 6 vite jeton në Kosove. “Tash e 6 vite jam në Kosovë, nuk e kam jetën financiare më të mirën, por ndihem i përmbushur emocionalisht e psiqikisht. Dhe me bindje të plotë them se ky ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë në jetë – të rikthehem në Kosovë. Jam mbushur plotë jetë!”, përfundoi R.M për Enigmën.
Ky kthim shënon jo vetëm një ndryshim personal, por edhe një histori të përbashkët të shumë emigrantëve kosovarë që kanë ndërtuar jetë të reja në Zvicër, por që kurrë nuk harrojnë prejardhjen e tyre. /GazetaEnigma/