Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke i caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji Isuf Zogajt, i cili dyshohet për vrasjen e 42-vjeçarit, Avni Basha, në Malishevë.
Përmes një komunikate për media, Gjykata njofton se Zogaj dyshohet se ka kryer veprat penale, “Vrasja” dhe ” Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Sipas kërkesës, “me datë 20 shtator 2023 rreth orës 07:40 minuta në fshatin Bellanicë, Komuna Malishevë, në parkingun e marketit M.- M. me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. B. nga Komuna e Suharekës, si shkak i një mosmarrëveshje të mëhershme. Derisa i pandehuri ndodhej në lokal së bashku me dëshmitarin B. E. dhe me të vërejtur se kishte arritur në parking tani i ndjeri A., i pandehuri ngritët nga tavolina, del jashtë dhe i afrohet tek automjeti i të ndjerit, hap derën e automjetit dhe menjëherë me armë gjuan disa herë në drejtim të kokës së tani të ndjerit, e kur i viktima bie përtokë, i pandehuri vazhdon duke gjuajtur prapë me armë në drejtim të trupit të tij dhe përderisa trupi ishte i shtrirë për tokë””, thuhet në komunikatë.