Gjykata Themelore e Mitrovicës ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh policit që dyshohet se shkaktoi aksidentin me tre të vdekur në magjistralen Mitrovicë-Pejë, në fshatin Çubrel.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Hateme Haxhaj.
“Masa e paraburgimit prej 30 ditësh është caktuar ditën e djeshme”, tha shkurtimisht Haxhaj.
Nga hetimet fillestare të Inspektoratit Policor të Kosovës, del se vetura zyrtare e Policisë së Kosovës është fajtore. Këto hetime kanë nxjerrë se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.
“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile”, thuhej në komunikatën e IPK-së, një ditë pas aksidentit që ndodhi.
Si pasojë e aksidentit tre persona (të cilët kanë qenë në veturën civile) një mashkull dhe dy femra mbetën të vdekur. Lëndime trupore pësuan edhe katër zyrtarët që ndodheshin në veturën e Policisë së Kosovës, e të cilët më pas u dërguan në QKUK për tretman mjekësor.