Një person humbi jetën – Prokuroria deklarohet për ngjarjen tragjike në Veternik

Një person humbi jetën – Prokuroria deklarohet për ngjarjen tragjike në Veternik

Të shtunën e 5 prillit ka ndodhur një ngjarje tragjike në Veternik të Prishtinës, ku një person ka humbur jetën si pasojë e shembjes së dheut, ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar, raporton Gazerta “Enigma”.

Policia ka njoftuar se në lidhje me rastin tashmë një person është arrestuar.

“Është raportuar se gjatë punimeve te një objekt në ndërtim është shembur dheu dhe i ka nxënë dy persona meshkuj kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe urgjenca të cilët kanë arritur që ti nxjerrin personat nga gropa ku ju është ofruar tretman mjekësor, mirëpo njëri nga personat nuk ka arritur që tu mbijetojë plagëve dhe nga stafi mjekësor është konstatuar vdekja e tij, ndërsa personi tjetër është dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshme. Lidhur me rastin është arrestuar një mashkull kosovar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhej në raportin 24 orësh të Policisë.

Kaltrina Shala zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se kanë nisur hetimet mbi këtë rast dhe me kujdes të shtuar po shqyrtojnë rrethanat e kësaj ngjarje tragjike.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës ka nisur hetim mbi vdekjen, bazuar në nenin 358 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe me kujdes të shtuar po shqyrtojnë aspektet e rastit për shqyrtimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje tragjike”, ka deklaruar Shala. /Gazeta Enigma/

Related Articles