Policia e Kosovës ka njoftuar se më 14.10.2024, rreth orës 18:20, te pala serbe në stacionin policor kufitar në Merdarë është vërejtur një veturë me targa të Serbisë që dyshohet të jetë e Xhandarmërisë serbe.
Në njoftim thuhet se sipas informacioneve nga kompetentët aty shiheshin katër pjesëtarë të Xhandarmërisë serbe, të cilët kanë qëndruar rreth 10 minuta te hyrja e objektit te pala serbe.
“Të njëjtit janë larguar duke shkelur vijën ndarëse kufitare që në fakt përbën shkelje të marrëveshjes për IBM-në, ka për qëllim provokimin apo krijimin e ndonjë incidenti ndërshtetëror”- thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Menaxhimi kufirit të Republikës së Kosovës dhe provokimet nga ana serbe në kufi
Prishtinë, më 14 tetor 2024
Më datë 14.10.2024, rreth orës 18:20, tek pala serbe në stacionin policor kufitar në Merdar është vërejtur një veturë e tipit Land-Rover me targa të Serbisë që dyshohej të jetë e xhandarmërisë serbe!
Sipas informacioneve nga kompetentët aty shiheshin 4 (katër) pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth 10 (dhjetë) minuta tek hyrja e objektit te pala serbe.
Të njëjtit janë larguar duke shkelur vijën ndarëse kufitare që në fakt përbënë shkelje të marrëveshjes për IBM-në, ka për qëllim provokimin apo krijimin e ndonjë incidenti ndërshtetëror.
Policia e Kosovës kërkon nga autoritetet relevante ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit dhe respektimin reciprok të marrëveshjeve qe ndërlidhen me menaxhimin e integruar kufitar dhe me sigurinë në përgjithësi.
Policia e Kosovës është duke kryer detyrat e saj ligjore në funksion të ruajtjes së qetësisë, stabilitetit dhe menaxhimin profesional të kufijve shtetëror në bazë të mandatit të saj Kushtetues dhe duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare për menaxhim të integruar kufitar, përderisa mbetet e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe do të reagoj me profesionalizëm ndaj çdo akti kundërligjor, kundër kushtetues apo që cenon marrëveshjet ndërkombëtare për menaxhim kufitar.