Lista Serbe një vit më parë vendosi që të largohet nga institucionet qendrore të Kosovës, si dhe komunat në veri të vendit.
Dorëheqje dhanë pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës, të gjyqësorit dhe prokurorisë në këto komuna.
Pak ditë pas vendimit, u betuan nëntë deputetë të rinj të Listës Serbe, të cilët vazhdojnë të paguhen pa shkuar në Kuvendin e Kosovës. Deputetë të opozitës thonë se kjo parti ka qenë kreatorja e të gjitha tensioneve që pasuan gjatë këtij viti. Ata kërkojnë nga institucionet që të ndërmerren masa ndaj tyre dhe pjesëtarëve të dorëhequr mos t’u mundësohet rikthimi në institucionet publike. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Lista Serbe nuk e ka më fuqinë politike dhe besimin e qytetarëve serbë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci thotë për KosovoaPress, se veriu asnjëherë më parë nuk ka pasur më shumë sovranitet. Ai thotë se ata që kanë hequr uniformat e Kosovës, nuk mund të kthehen të shërbejnë më në Policinë e Kosovës.
“Fatkeqësisht ligji dhe rregullorja e mundëson që deputeti çdo gjashtë muaj të vije dhe të nënshkruhet dhe të mos t’i humb pozita e deputetit. E që në fakt nuk është korrekte dhe këtë e kemi parë tek Lista Serbe që e ka sabotuar Kuvendin e Kosovës prej që jemi edhe në qeveri, asnjëherë nuk ka qenë prezente, e sidomos në vitin e fundit. Problemi qëndron që imuniteti i deputetit, në këtë rast rregullorja thotë se brenda gjashtë muajve nëse merr pjesë në seancë, nuk mund t’i humb puna deputetit. Kjo është shumë keq sepse ne po e shohim që Lista Serbe po e saboton Kuvendin që një vit e këndej. Por, duke parë situatën se si Lista Serbe, nënkryetari i saj ka marrë pjesë në aksionin terrorist dhe e ka udhëhequr, unë mendoj që kjo parti politike tashmë e tregoj fytyrën e vet dhe unë besoj që në zgjedhjet e ardhshme do të ketë një pluralizëm politik tek qytetarët serbë dhe kjo listë nuk e besoj që e ka më atë fuqinë politike apo besimin e qytetarëve serbë të Kosovës”, deklaron ai.
Teksa deputeti i shumicës parlamentare deklaron se në veri ka shtrirje të sovranitetit, me një gjë të tillë nuk po pajtohet opozita.
Pas vendimit të Listës Serbe për largimin nga institucionet e Kosovës, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj thekson se përgjatë një viti ka pasur tensione në veri, e po ashtu edhe akt të agresionit, ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.
“Deputetët e Listës Serbe vazhdojnë të vijnë sa për nënshkrime, çdo gjashtë muaj, në mënyrë që të mos humbin të drejtën e të qenurit deputet në Parlamentin e Kosovës. Ndërsa 1ata vazhdojnë që të paguhen nga buxheti i Kosovës thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Për më keq, Lista Serbe ka qenë kreatorja e gjitha incidenteve që ka ndodhur në veri. Bile kanë qenë prijësit e Listës Serbe, Rakiq, Simiq dhe të tjerë të cilët kanë protestuar në mënyrë të hapur para KFOR-it dhe pastaj u lënduan numri prej më shumë se 90 pjesëtarëve të KFOR-it. Por, ata i kanë prirë kanë qenë iniciatorë të të gjitha barrikadave atje dhe i gjithë asaj që ka ndodhur në veri. Dhe ende shteti i Kosovës nuk është duke trajtuar Listën Serbe, ashtu si meriton dhe si duhet. Mendoj që është gabim sepse ju e shihni që tash kanë ndërruar vetëm emrat e atyre që udhëheqin me direktivat e Serbisë, ndërsa ata janë të njëjtit. Duhet të bëjmë diçka si shtet në këtë drejtim…Kosova duhet ta ketë të qartë që me Listën Serbe nuk duhet të vazhdohet tutje edhe të ngulin këmbë që terroristët që kanë marrë pjesë t’i dorëzohen organeve të drejtësisë”, deklaron deputeti i PDK-së.
Ai shton se asnjë polic i cili ka dorëzuar uniformën e Policisë së Kosovës nuk duhet të kthehet në punë.
“Absolutisht është gabim, nuk mund asnjë polic të kthehet më në institucionet e Kosovës, në Policinë e Kosovës. Ata kanë pasur një muaj kohë, ata e kanë nënshkruar deklaratën vet të dorëheqjes, kanë pasur kohë një muaj nëse kanë dëshiruar që të kthehen, mirëpo tani është bërë më shumë se një vit. Dhe ata asnjëri prej tyre nuk do të duhej, nuk guxon dhe të ndodhë që të kthehen në Policinë e Kosovës….Policia e Kosovës duhet që të hap konkurse vazhdimisht në mënyrë që të pranojë kandidatë të ri e të reja nga komuniteti serb që ka qenë atje. Mirëpo, assesi në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë nuk duhet të pranohen prapë që të punësohen në Policinë e Kosovës të njëjtit që kanë dhënë dorëheqje me direktiva të Serbisë”, shton ai.
E deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj thekson se deputetët e Listës Serbe nuk kanë përgjegjësi ndaj votës së qytetarit por ndaj politikave serbe.
“Ata (deputetët serbë) nuk kanë përgjegjësi ndaj votës së qytetarit por kanë përgjegjësi ndaj politikave hegjemoniste të Serbisë dhe kjo është fatkeqe për ta dhe për ata të cilët ata iu kanë besuar me votë këtë formë shihen….Ishte (vendimi) tendencë për t’i dëmtuar institucionet në të gjitha nivelet, qoftë ato të kuvendit, pjesë të qeverisë, pjesë të organeve të sigurisë në veriun e Kosovës. Si rezultat i kësaj, interferimi përmes kësaj në procesin e dialogut si manipulim nga Aleksandër Vuçiqi dhe të tjerat duke interferuar përmes Listës Serbe dhe tash që u dokumentua edhe përmes grupeve kriminale. Tash kjo duhet të ballafaqohet në dy anët e medaljes. Puna jonë si institucione, si shumicë parlamentare për t’i afruar në kuadër të asaj që e lejon kushtetuta dhe legjislacioni, por edhe krijimi i një Kosove që është e mirë për të gjithë. Ama tendenca e Serbisë që të pengojë Kosovën në fuqizimin e subjektivitetit të brendshëm dhe krijimin e situatave ku nuk ka situatë harmonie etnike dhe pengesë qoftë në legjislacion, kushtetutë, vendimmarrje, siguri është tregues i fytyrës së vërtetë të Vuçiqit dhe të politikës së Serbisë”, tha ai.
Vendimi i Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës erdhi pas vendimit për suspendim të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq. Ky i fundit kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e institucioneve të Kosovës për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në ato RKS, të Republikës së Kosovës.