Një numër i madh i pjesëtarëve të Njësisë Speciale me armë të gjata sapo kanë arritur në fshatin Gllogjan të Deçanit, ku do të patrullojnë në kërkim të autorit të vrasjes së trefishtë.
Këta pjesëtarë janë në afërsi të vendit të ngjarjes, ku ndodhi sulmi i mbrëmshëm me armë ndaj një autobusi me udhëtuar, ku mbetën 3 persona të vrarë e 1 i plagosur rëndë.
Autobusi ndaj të cilit u krye sulmi vazhdon të rri në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi, në fshatin Gllogjan.
Policia e Kosovës është duke patrulluar me qen.
Policia e Kosovës ka kryer ekzaminimet e nevojshme hetuese në autobus mbi këtë rast.
Autori i vrasjes makabre vazhdon të jetë në arrati.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla i ka dhënë ultimatum vrasësit të tre personave në Gllogjan të Deçanit që të dorëzohet sa më shpejtë në Polici.
Sveçla në një konferencë për media tha se kanë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet që të zbulojnë këtë rast.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se janë duke marrë shumë informacione të ndryshme dhe kanë rreth tri pista hetimi në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi të premten mbrëma në Gllogjan të Deçanit.
Mehmeti u shpreh se është duke u bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe se janë angazhuar ekspertë të niveleve të ndryshme për të ekzaminuar provat dhe vlerësuar informacionet e shumta që po marrin.
Sahide Gashi, prokurore e rastit të mbrëmshëm në Gllogjan ku u vranë tre persona, në mesin e të cilëve edhe dy nxënës tha se deri tani nuk ka informata të reja për rastin, por bëri të ditur se janë duke intervistuar shumë persona dhe çdo dëshmitar okularë, si dhe kanë bastisur një shtëpi.
Ajo në një prononcim për media tha se në orët e mëngjesit kanë bastisur një shtëpi në Gllogjan por që nuk ka rezultuar me ndonjë provë apo identifikim të kryesit apo kryerësve të mundshëm.
/Gazeta Enigma/