Këtë të enjte është mbajtur ceremonia solemne e certifikimit të 48 pjesëtarëve të rinj të Njësisë Speciale Operative, të cilët me sukses e përfunduan një trajnim bazik për operatorë të NJSO-së.
Sipas policisë, kjo ceremoni është përmbyllje e një rrugëtimi profesional ku kandidatët më të përgatitur, më të qëndrueshëm dhe më të vendosur, janë bërë pjesë e kësaj njësie elitare të Policisë së Kosovës.
“Po ashtu në këtë ceremoni u certifikuan edhe 5 instruktorë të trajnimit themelor për NJSO-në si dhe u ndanë mirënjohje për instruktorët për kontributin dhe punën e palodhshme të tyre në trajnimin e kësaj gjenerate të operatorëve të rinj të NJSO-së”.
“Këta pjesëtarë të rinj, të përgatitur nga instruktorë me përvojë dhe përkushtim të lartë, janë tashmë gati të përballen me detyrat dhe sfidat policore – gjithmonë në mbrojtje të rendit, ligjit dhe sigurisë, në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në këtë ceremoni morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, drejtor i Departamentit të Njësive Speciale kolonel Shabani, eprorë të policisë, instruktorë, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, KFOR-i amerikan si dhe zyrtarë të institucioneve shtetërore.