Mediumi britanik “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull Ferdonije Qerkezit, nënës e cila tash e njëzet vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë nuk di gjë për fatin e katër djemve dhe burrit të saj.
Këtu Qerkezi kujton çdo detaj të ditës kur policia serbe ia mori familjen e saj. Ajo kujton se si një oficer serb urdhëroi burrin e saj Halimin dhe dy burra të tjerë të dilnin jashtë, e më pas u kthye dhe i mori djemtë e saj Artarin, Armandin, Ardianin dhe Edmundin.
“Shpirti im nuk do të ketë kurrë paqe”, tha Qerkezi, e cila ka ruajtur shtëpinë e zbrazët të familjes në përpjekje për t’u kapur pas kujtimit të bashkëshortit dhe fëmijëve të saj.
“Komuniteti ndërkombëtar na bën thirrje që të shikojmë nga e ardhmja dhe të harrojmë të kaluarën. Por si mund të harroj pesë anëtarët e familjes sime që u vranë? I dërguam dokumente Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Duket sikur ata thjesht nuk u interesuan”, ka thënë Qerkezi.
Sipas The telegraph në dy dekada që nga përfundimi i luftës, ekipet e mjekësisë ligjore kanë zbuluar qindra trupa në varreza masive të shumta të pashënuara në Kosovë dhe Serbi. Në vitin 2005, eshtrat e Artan dhe Edmund Qerkezit u gjetën në vende të veçanta pranë qytetit të Prizrenit.
Dragan, emri i parë me të cilin Qerkezi njihte oficerin e policisë që udhëhoqi grupin që arrestoi familjen e saj, ishte një polic i njohur vendas. Pas luftës ai u largua nga Kosova, ndërkaq Qerkezi dyshon se ai është në Mal të Zi apo Serbi dhe po mbrohet nga autoritetet atje.
Rreth 13 mijë njerëz u vranë në luftën e viteve 1998-1999 midis forcave serbe të sigurisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përpara se konflikti të përfundonte me ndërhyrjen e NATO-s.