Tashmë të gjithë janë në pritje që Gjykata Kushtetuese të publikojë aktgjykimin e plotë lidhur me konsitituimin e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të ecet me hapat tutje, shkruan Gazeta Enigma.
Me mundësi që një kandidat për Kryetar të Kuvendit ta provojë“fatin” vetëm deri në tri herë, “sytë” janë kthyer edhe kah Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, për t’u parë se a do e respektojnë këtë vendim dhe kush do jetë kandidati i tyre i dytë, nëse Albulena Haxhiu dështon sërish.
“Veç njoftim”
Veç njoftim, e ka cilësuar kryeministri në detyrë, njëherit kryetar i VV-së, Albin Kurti.
Ai tha se do e presin aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, kur u pyet nëse do respektohet vendimi i Kushtetueses.
“Duhet ta presim aktgjykimin e plotë. E kemi pasur me 26 qershor dhe me 8 gusht, por ky i 8 gushtit është veç njoftim”, tha Kurti.
Stoikja Albulena Haxhiu sërish kandidate
Deputeti nga radhët e LVV-së, Arbër Rexhaj, tha se kjo parti do tentojë sërish që Albulena Haxhiu të emërohet kryeparlamentare, ndërkohë që nëse ka sërisht tri dështime, kryesia do vendosë për hapat e radhës.
“E kemi Albulena Haxhiun sepse bashkë me partnerët tanë e kemi vendosë, sepse është gruaja më e votuar në Kosovës dhe është e drejtë e jona propozimi. Konstituimi i Kuvendit do të ishte akt solem. ka thënë Rexha.
Deputeti i VV-së tha se partitë ish-opozitare po dëshirojnë që të mos ketë Qeveri Kurti.
“Mirëpo, po harrojnë se Qeveri Kurti do të ketë, sepse qytetarët po e dëshirojnë këtë”.
“Ne do të shkojmë me Haxhiun dhe pastaj do të mblidhemi si kryesi, si Grup Parlamentar ku do të diskutojmë për hapat e mëtutjeshëm”, është shprehur ai për Enigmën.
Kur do mbahet seanca e radhës?
Seanca e radhës do të mbahet brenda 48 orëve, pasi tëpublikohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në Gazetën Zyrtare.
Kështu tha për Gazetën Enigma, eksperti i ligjeve të Republikës së Kosovës, Anton Nrecaj.
Ai tha se publikimi i plotë i aktgjykimit pritet të publikohet deri të premten.
“Çështjet që janë me interes nacional e që kanë të bëjnë me krijim të institucioneve, Gjykata i merr me prioritet. Nuk e besoj që zgjatë më shumë se 7 ditë nga dita e njoftimit. Mund të merr pak kohë pasi publikohet në tri gjuhë. Aktgjykimi mund t’i ketëderi në 50 faqe, duhet të përkthehet në gjuhën serbe dhe angleze. Edhe gjyqatri që ka votuar kundër, duhet t’i hartojë argumentet e veta pse ka votuar kundër”.
E nëse ky vendim nuk respektohet, Nrecaj thotë se kjo do të përbënte fundin e shtetit.
“Nuk ka shtet më. Shndërrohemi në një vend anarki. Vend totalitar ku nuk respektohet asgjë. Veç çka thotë partia fituese. Do ishte fundi i shtetit të Kosovvës”, paralajmëroi ai.
Çfarë pritet nga aktgjykimi i plotë?
Aktgjykimi i plotë i Kushtetueses, përveç se hap rrugën për mbajtjen e seancës konstituive në ditën pasuese, pritet të sqarojë më shumë gjëra.
Ajo ka mundësi t’i përgjigjet edhe një kërkese tashmë të tërhequr të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar më herët nga gjykata përmes një aktgjykimi.
Në aktgjykimin e saj të mëparshëm, të cilin deputetët e shpërfillën, Kushtetuesja nuk kishte treguar pasojat juridike të një shpërfilljeje të tillë.
Kushtetuesja mund të tregojë tani se cilat do të jenë pasojat, nëse deputetët e shpërfillin sërish urdhrin 30-ditor për bërjen e Kuvendit të ri.
“Ndonëse presidentja e ka tërhequr kërkesën, Kushtetuesja ka të drejtë ligjore ta shqyrtojë atë, sepse duhet qartazi se kjo është çështje me interes publik dhe kushtetues”, tha Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Cakolli tha se afate të tilla do të jenë të destinuara për të mos u respektuar nga aktorët politikë, pasi atyre “u mungon vullneti politik për të gjetur zgjidhje, jo sepse nuk i dinë procedurat”.
“Partitë do të vazhdojnë t’i shkelin afatet për sa kohë që gjykata nuk e shkruan në mënyrë të qartë se cilat do të jenë pasojat që deputetët dhe Kuvendi do t’i bartin, në rast të dështimeve të mëtejme”, tha ai.
Si u prit vendimi nga liderët e partive tjera?
Memli Krasniqi nga PDK tha se Gjykata Kushtetuese vulosi të vërtetën “që për muaj me radhë e kemi thënë me zë të lartë”.
“Ky është konfirmim i plotë se bllokada, shkeljet dhe veprimet arbitrare të Lëvizjes Vetëvendosje ishin jo vetëm antikushtetuese, por edhe thellësisht të dëmshme për demokracinë dhe shtetin tonë. Ky vendim është fitore për rendin kushtetutes, për Kuvendin dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ata që zgjodhën krizën, dështuan. Ne që zgjodhëm Kushtetutën, fituam”, pati thënë Krasniqi.
“Një fitore e madhe e demokracisë! Një fitore e madhe Republikës!”, e pati cilësuar vendimin Lumir Abdixhiku i LDK-së.
“Siç e kishim thënë, sa e sa herë, partia e parë kishte uzurpuar foltoren, me imponim kishte ndryshuar rendin e ditës dhe me kokëfortësi për plot 48 herë kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës duke insistuar në votimin e fshehtë – para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, shkroi Abdixhiku. /GAZETA ENGMA