Në kohën kur Kosova vazhdon të jetë jashtë gjitha proceseve integruese të BE-së, e pa anëtarësuar në shumicën e organizatave ndërkombëtare, e izoluar nga shtetet evropiane, një ‘fije shprese’ u shfaq kur u dhanë indikacione se shteti më kundërshtues i pavarësisë së Kosovës, Spanja mund ta bëjë kthesën historike në pozicionin e saj karshi Kosovës, shkruan Gazeta “Enigma”
Gazeta spanjolle, The Objective, më 20 nëntor, botoi një artikull ku shkruhej se kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez po përgatitet të bëjë një kthesë historike në pozicionin e shtetit të tij ndaj Kosovës duke hapur një zyre ekonomike apo kulturore në Kosovë.
Por, se sa ka gjasë që shteti spanjoll të bëjë këtëkthesë historike, dhe si do të ndikonte kjo për Kosovën, për Gazetën “Enigma”, ka folur Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane.
Profesori Mazreku ka deklaruar se një hap i tillë do eliminonte gjitha barrierat që Kosova aktualisht i ka në rrugën e saj drejt BE-së.
“Spanja, duke e njohur Kosovën e eliminon edhe nevojën për rezistencë të katër vendeve të tjera anëtare të BE-së, për mos ta njohur Kosovën dhe hapi i parë do ishte njohja në paketë e pesë vendeve mos njohëse. E Spanja duke qenë vendi që ka qenë më së shumti kundër në këtë proces, në fakt e hap rrugën e Kosovës karshi BE-së. Nëse ndodh kjo, vetëm atëherë mund të themi se Kosova ka raport normale me BE-në dhe ka perspektiv të qartë në këtë union. Sepse askush nuk mund të anëtarësohet në BE, pa u njohur nga gjitha shtetet anëtare”, ka thënë ai.
Siç vlerëson ai, Spanja e ka përdorur vazhdimisht Kosovën për zhvillimet e saj të brendshme, dhe njohja eventuale e Kosovës nga ky shtet, sërish do bëhej për të njëjtat arsye.
Ndërkohë kthesa e Spanjës në qëndrimin e saj karshi pavarësisë së Kosovës, sipas Mazrekut do të ishte pozitiv në dy dimensione. “Do i ndihmonte Spanjës në organizimin, rregullimin dhe stabilizimin e problemeve të saj të brendshme dhe politike duke e hequr mundësinë e kualifikimit të Kosovës si precedent, dhe e dyta duke qenë se Spanja është një nga vendet më të fuqishme të BE-së e mbështet politikën e zgjerimit të BE-së, në pjesën e Ballkanit perëndimor, duke ditur se zgjerimi ka qenë një nga pikat kryesore të BE-së që nga themelimi i saj”, shtoi tutje ai.
Bllokada e Spanjës, penalizuese për Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së
Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadriaj në një intervistë për Gazetën “Enigma”, ka thënë se vlerëson se njohja e pavarësisë së Kosovës, nga shteti spanjoll do krijonte një situatë të re në rrugën euroatlanetike të Kosovës.
“Ne si komision kemi kërkuar të hartohet një lloj strategjie e komisionit sepse për shkak të pandemisë ne nuk kemi mundur ta zhvillojmë sa duhet diplomacinë parlamentare. Këto deklarata nga shteti spanjoll ne i mirëpresim dhe shpresojmë që njohja e këtij shteti të ndodh sa më parë, sepse ne kemi parë që në parlamentin spanjoll ka pasur deputet që kanë ngritur zërin dhe kanë thënë që duhet njohur pavarësinë e Kosovës”, theksoi ajo.
Sipas saj, mos njohja nga Spanja me automatizëm ka bllokuar rrugën e Kosovës drejt BE-së ndër vite. “Në të gjitha instancat, por edhe me ambasador të vendeve mike ne kemi kërkuar që të na ndihmojnë në këto 5 vende që nuk e njohin Kosovën, sepse me automatizëm ne po bllokohemi edhe në proceset e tjera që janë të ndërlidhura”, ka thënë tutje ajo.
Njohja nga Spanja, si mund të ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi
Në anën tjetër, juristi Muhamet Kelmendi, ka deklaruar se njohja nga Spanja do të shërbente si shembull për shtetet që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.
“Është një gjë shumë domethënëse lajmi se qeveria spanjolle e Pedro Sanchez do të njohë shtetin e Kosovës. Kjo njohje do të shërbente si shembull për shtetet tjera të unionit që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Me këtë fillon një etapë e re e shtetit të Kosovës në raport me UE. Njohja e tillë i shërben Kosovës edhe në dialog me shtetin serb. Kjo për faktin se ndarja a ndonjë status tjetër serb më lehtë kundërshtohet. Edhe përfaqësuesi i Spanjës, z.Borrell, me siguri e vërehen qëndrimin se fillon mbi bazën e shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.
Tutje, potencoi se me njohjen nga shteti spanjoll, edhe Unioni do të fillon të marrë vendime për Kosovën si shtet, e jo si territor pa status.
“Thyerja e rezistencës disa vjeçare e mosnjohjes fiton në peshë. Kështu fillon etapa e njohjeve dhe me siguri se vazhdon me Greqinë e me shtetet tjera që ende nuk e kanë njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Unioni kështu do fillon të marrë vendime për Kosovën si shtet e jo si territor amorfë pa status. Ndaj Serbisë fiton në peshë Kosova. Shteti si bazë e dialogimit bëhet bazë kryesore. Njohja bëhet e domosdoshme”, ka thënë ai.
Kelmendi, shtoi tutje, se ky është një hap i madh për Kosovën, sepse fiton edhe njohje të reja në Azi dhe në Amerikën Latine, si dhe në Afrikë.
Ndërkaq kujtojmë se edhe deputeti spanjoll, Aitor Esteban kishte kërkuar nga Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez ta njeh Kosovën pasi sipas tij Spanja de facto e ka njohur subjektivitetin e Kosovës pasi ka pranuar të luaj zyrtarisht një ndeshje futbolli me kombëtaren e saj.
Përpos Spanjës Kosova, nuk është njohur as nga Qipro, Sllovakia, Rumania dhe Greqia.
/Gazeta Enigma.