Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas protestës së Njësitit Special Intervenues dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës, të cilët bën 14 kërkesa për Qeverinë.
Sveçla ka shkruar se me marrjen e mandatit të Qeverisë Kurti, Policia e Kosovës dhe Njësi Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë.
Ai ka shtuar se qëkur e ka marrë mandatin, deri sot për Policinë e Kosovës është rritur buxheti për 30%, ndërkaq në investime kapitale rritja është prej 300%.
Sveçla tutje ka potencuar se si Ministri e Punëve të Brendshme për detyrë e kanë të mendojnë e përkujdesen për tërësinë dhe kështu duke u lëshuar në secilën prej 9 agjencive ekzekutive.
Ai ka shtuar se sakrifica asnjëherë nuk mund të jetë pikënisje për të përkufizuar një shpërblim sepse kjo formë sipas tij, përveçse e dëmshme del të jetë gjithnjë e pamundur.
“Asnjë sakrificë të popullit shqiptar në histori, të asnjë individi nuk do të mund ta shpërblejmë për ta barazvlerësuar sepse jeta është e paçmueshme. Ajo nuk ka çmim. Asnjë çmim, asnjë shpërblim nuk do të jetë i barazvlefshëm, asnjëherë, me jetën porse ky është angazhimi ynë për vendin”, ka shkruar ai.