Javën që shkoi, mediat sllovene e bën publike një dokument që pretendohet se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ia dërgoi disa zyrtarëve të Bashkimit Evropian, në të cilin ‘non-paper’ paraqiti idenë e rikonfigurimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor. Në letrën e tij, Jansha hodhi si projekt të mundshëm çështjen e ndarjes së Bosnje dhe Hercegovinës, aneksimin e Republikës Srpska dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Tani e disa ditë më radhë mediat sllovene flasin për ekzistimin e një dokumenti, që kryeministri i këtij shteti i kishte dërguar BE-së, e ku flitej për ndryshim të kufijve në Ballkan.
E shkruar në anglisht, dokumenti përmban disa pikë, të cilat flasin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, aneksimin e Republikës Srbska nga Serbia, si dhe opsionin e rirregullimit të territoreve kroate që janë pjesë e federatës boshnjako-kroate në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Të gjitha këto rikonfigurime të kufijve u paraqitën si mundësi e përmbylljes së shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Në të thuhet se shqiptarët e të dyja vendeve janë në shumicë pro-bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Në Kosovë, 95 përqind e popullsisë dëshiron të bashkohet me kombin origjinal shqiptar. Situata është e ngjashme edhe në Shqipëri. Kufiri midis Shqipërisë (anëtare e NATO-s) dhe Kosovës është praktikisht inekzistent”, thuhet ndër të tjera në dokument.
Për këtë ide të palës sllovene, pati shumë reagime përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor si Serbia, Kroacia e Bosnja. Por për këtë çështje folën edhe vendet jo-ballkanike si Gjermania e organizata si BE.
Por, këtë temë nuk e ka komentuar Qeveria e Kosovës, ndonëse Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka tentuar të marrë një qëndrim rreth kësaj çështje.
“Nuk jemi duke e komentuar” – ishte përgjigja e vetëm e zyrtarëve të Qeverisë që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Ndërkaq Presidenca e Kosovës në një deklaratë për media pati thënë se ata nuk pranojnë të marrin pjesë në asnjë lloj dialogu ku flitet për kufijtë e vendit, derisa raportimet e mediave sllovene për dokumentin i quajtën ‘lajm të rremë’.
Dokumenti slloven tregon problemet e Ballkanit Perëndimor
Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, vlerëson se dokumenti që po debatohet shpërfaqë krizën e vazhdueshme të Ballkanin Perëndimor.
Tutje, ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që politikisht angazhohet për bashkimin kombëtar, tha për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se publikimi i dokumentit është përpjekje për ta testuar opinion për zgjidhjet e tjera të mundshme për problemet e vendeve ballkanike.
“Dy janë problemet që janë pengesë në rrugën e integrimeve euro-atlantike në rajonin tonë: rregullimi i brendshëm i Bosnjë dhe Hercegovinës që e bën këtë shtet jofunksional dhe në anën tjetër mos zgjidhja e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ne me mosveprimin tonë kemi bërë që zgjidhja e çështjes së raporteve Kosovë-Serbi të na lidhet me çështjen e Bosnjë dhe Hercegovinës gjë që do ta komplikonte shumë çështjen tonë. Përderisa në rastin e Bosnjë dhe Hercegovinës çështja e ndarjes së saj, është çështje e popujve të saj, idetë mbi ripërcaktimin e kufijve në rastin tonë nuk do të duhej të na frikësonin, sepse shqiptarët janë ata që janë më të dëmtuarit nga kufijtë aktual”.
Se po matet pulsi i opinionit publik me publikimin e ‘non-paper-it’ slloven e thotë edhe analisti e gazetari Imer Mushkolaj, për të cilin ky dokument nuk është i befasishëm.
“Pjesa e Ballkanit Perëndimor ka mbetur një zorre qorre. Edhe nga Bashkimi Evropian po shihet si e tillë dhe mungesa e perspektives evropiane i jep krah këtyre propozimeve që qojnë në zgjidhje etnike, ndërsa në 25 vitet e fundit që nga Konferenca e Dejtonit, bashkësia ndërkombëtare (ShBA dhe BE) kanë investuar në zgjidhje tjera që nënkuptojnë shtete multietnike. Këto lloj zgjidhjesh të shpejta kanë mund të ndodhin para 25 viteve, tash është më problematike, sepse kjo zgjidhje do të kishte një domino efekt në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në anën tjetër është një lloj tregimi i mosbesimit të qartë të Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të një dështimit të madh të deritanishëm”, tha Mushkolaj.
Sipas Muratit mosveprimi i Kosovës ka bërë që çështja e raporteve me Serbinë të lidhet me atë të Bosnjë e Hercegovinës.
“Ne do të duhej ta kuptonim se e kemi shumë të rëndësishme zgjidhjen e problemeve me Serbinë, në mënyrë që ta përmbyllim çështjen e pavarësisë së Kosovës (sidomos në planin e legjitimitetit të jashtëm, por edhe të funksionalitetit të brendshëm) dhe t’ia hapim rrugën edhe mundësisë së një raporti tjetër me Republikën e Shqipërisë, përfshirë bashkimin në një entitet shtetëror. Andaj guximshëm do të duhej që në tryezën e bisedimeve jo të presim që të tjerët të shtrojnë çështjen e ripërcaktimit të kufijve por vetë ta shtrojmë atë, me parimin që pjesa shqiptare e Kosovës Lindore të bashkohet me Kosovën si dhe pjesa serbe e tre komunave veriore të bashkohet me Serbinë”.
Ndërkaq për Muratin, që përkrah ndryshimin e kufijve ndërmjet Kosovës e Serbisë, thotë se vetëm rikonfigurimi i territoreve do të hapte rrugën e bashkimit të shqiptarëve.
“Vetëm një zgjidhje e tillë, do të shtronte rrugën pastaj për ndryshimet kushtetuese në Kosovë, heqjen e kufizimeve që ka kjo kushtetutë e që burojnë nga Pakoja e Ahtisaarit dhe të cilat do të mundësonin funksionalizimin e plotë të shtetit të Kosovës si dhe do të hapnin edhe rrugën (nëse për këtë ka vullnet) për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë”, shtoi Murati.
Ndërkaq Imer Mushkolaj thotë se shteti i Kosovës do të duhej të kishte një qëndrim të qartë rreth dokumentit që kryeministri slloven i dërgoi Brukselit.
“Kosova do të duhej ta kishte një qëndrim të qartë karshi këtij propozimi pavarësisht se dikush mund ta konsideroj jo serioz e jo të rëndësishëm. Në një farë forme duke parë këto reagime që kanë ardh prej shteteve të Ballkanit Perëndimor, BE duhet me pa seriozisht se si t’i qaset çështjes se anëtarësimit të këtyre shteteve brenda vetes apo cila do të jetë qasja karshi këtyre shteteve në vitet e ardhshme”.
Kujtojmë që ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vite më parë pati hedhur në publik idenë e korrigjimit të kufijve, e cila sipas tij nënkuptonte bashkangjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovës.
Kundër kësaj ideje ishin ish-kryeministri Ramush Haradinaj, që atëbotë udhëhiqte Qeverinë dhe opozita e atëhershme VV e LDK.
Ndryshe, Sllovenia, nga ku doli ‘non-paper’, me 1 korrik merr Presidencën e Këshillit të BE. Kryeministri Jansha në ‘skicën’ e tij për udhëheqjen e BE-së, që e paraqiti në dhjetor të vitit të shkuar në Bruksel, e theksonte si prioritetet të tij fokusin në Ballkan.