Më 9 dhe 10 nëntor të këtij viti, u zbuluan lokacione të mbetjeve mortore në Prekaz të Poshtëm e në Tusuz të Prizrenit. Gazeta Enigma mëson ekskluzivisht se këto gjetje të njëpasnjëshme nuk janë të rastësishme dhe se edhe gjatë ditës së sotme janë gjetur mbetje të reja mortore.
Fillimisht në muajin tetor të vitit 2023, u zbuluan mbetje mortore të katër viktimave në Bishtazhin të Gjakovës që dyshohen të jenë nga lufta e fundit, duke vazhduar më vonë edhe në Prekaz ku u identifikuan mbetjet mortore të tre individëve, e një ditë më pas edhe në Prizren.
Gazeta Enigma ka kontaktuar Kushtrim Garën nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, i cili ka dhënë detaje për gjetjet mortore të identifikuara në lokacione të ndryshme gjatë vitit 2023.
“Janë rreth trembëdhjetë lokacione të cilat janë adresuar në kuptim të gërmimit vlerësues, dhe më shumë se gjysma e tyre, pra rreth shtatë prej tyre kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore”, ka njoftuar Gara për Gazetën Enigma.
Kushtrim Gara ka potencuar për Enigmën se gjetja e mbetjeve mortore në këto lokacione nuk ka ndodhur në mënyrë të rastësishme duke dhënë detaje se si është bërë identifikimi i këtyre lokacioneve.
“Në rastet e fundit jemi të fokusuar në lokacionet të cilat po i adresojmë mbi bazën e rekomandimeve nga raportet analitike, të përgatitura nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ose bashkë me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, do të thotë, janë raportet analitike që janë përmbledhje e analizave dhe të dhënave nga rastet paraprake të trajtuara mbi bazën e të dhënave nga arkiva ndërkombëtare dhe janë adresuar, prandaj edhe mundësia për me qenë më të sigurt, ose me pas më shumë rezultat kushtimisht në këto raste, është mundësi më e madhe të bëhet duke marrë parasysh punën që po bëhet paraprakisht, para se me dalë në terren”, theksoi Gara.
Ai tutje ka dhënë detaje për gjetjet e deritanishme dhe procedurave deri tek fillimi i gërmimeve.
“Edhe në rastin në Tusuz, edhe në rastin në Prekaz, edhe në rastin në Arbanë, edhe në Bishtazhin, para se të dërgohet me termin vlerësues, ka një sërë vizitash që bëhen në terren, ka një sërë takimesh konsullative që i mbajmë si Komision bashkë me Institutin e Mjeksisë Ligjore dhe Drejtorinë e Hetimeve për Krime Lufte dhe tek atëherë, me kërkesën për urdhëresë nga Gjykata kompetente, mund të fillojnë gërmimet. Pra, nuk janë gjetje të rastësishme, janë gjetje si rezultat i një angazhimi paraprak”, shtoi Gara.
Nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, është bërë me dije për Gazetën Enigma se edhe gjatë ditës së sotme janë gjetur mbetje mortore, ndërsa kanë theksuar faktin se ka një sërë procedurash për identifikimin e mbetjeve mortore me qëllim që të kemi shifrat e sakta se sa prej tyre janë identifikuar.
“Edhe tani, pra sot, është duke u punuar në kuptim të gërmimeve në lokacionin në Prekaz. Do të thotë edhe sot ka gjetje, ka pasur gjetje edhe dje në Prekaz. Nga gërmimet javë më parë kanë qenë tre individë, tre viktima të zhvarrosura, poashtu në Arbanë është folë për minimum një individ, në Bishtazhin është folë për katër individë, që do të thotë, po flasim gjithmonë me minimumin, meqë pas zhvarrimit këto janë në fazën të nevojshme të ekzaminimeve mjeko-ligjore. Do të thotë, tupat e rinjë që zhvarrosen, në Instituin e Mjeksësisë Ligjore kryejnë ekzaminimet e nevojshme, pastaj dërgohen mostrat e analizave të ADN-së dhe tek pasi të përfundohen të gjitha këto procedurat e ekzaminimit, atëherë mund të përcaktohet numri i individëve të zhvarrosur, dhe kur përcaktohet ndonjë individ, atëherë puna e parë që bëjmë si institucione është të njoftohen familjet e personave të identifikuar”, ka thënë Gara.
Nga gërmimet e sotme që po vazhdojnë në Prekaz, Gara ka theksuar se për momentin janë gjetur mbetje mortore të pesë viktimave, ku ka bërë të ditur edhe numrin nga gjetjet mortore në lokacionet tjera derisa ka theksuar faktin që nuk mund të përcaktojmë numrin e saktë të tyre pa përfunduar ekzaminimet mjeko-ligjore.
“Në rastin e Prekazit për momentin po flasim për pesë individë dhe viktima të zhvarrosura. Në rastin në Bishtazhin kemi folë për minimum katër persona. Në rastin ‘Mati 1’ minimumi është dy persona. Në Arbanë kemi folë për një person. Kështu që është ende herët sepse janë zhvarros vetëm pjesë kockore. Por, ne po e dimë minimumin e rasteve ose viktimave të zhvarrosura nga secili rast që përmendëm por është herët me u përcaktu derisa të përfundojnë gjithë ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore, përfshirë edhe analizën e ADN-së”, theksoi Gara për Gazetën Enigma.
Kujtojmë faktin që sipas të dhënave zyrtare, mbi 1 mijë e 600 persona konsiderohen të zhdukur me forcë që nga lufta e fundit në Kosovë. /Gazeta Enigma