Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se nuk ka një dakordim apo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, për largimin e disa barrikadave në veri të Mitrovicës.
Sipas tij, heqja e barrikadave erdhi pasi Serbia nuk e ka pasur mbështetjen e qytetarëve serbë në veri.
“Nuk e kanë pasur mbështetjen e qytetarëve serbë në veri që ta vazhdojnë një aktivitet të tillë në veri, dhe u dorëzuan i hoqën pa marrë parasysh që po tentojnë që nëpërmjet të mediave me ndiku tek qytetarët që këtë dështim ta bëjnë si fitore të Serbisë, por nuk ka fitore të Serbisë”, ka deklaruar ai.
I pyetur se nëse kishte një marrëveshje në mes të dyja shteteve, në lidhje me ndryshimin e masës së burgimit ndaj ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, Abrashi e ka mohuar një gjë të tillë, pasi sipas tij, ajo çka ndodhi me lirimin e Pantiqit ishte diçka e papritshme.
“Edhe unë kam nevojë për sqarime, por duke pasur parasysh veprën në të cilën dyshohet është me të vërtetë për tu habitur, dhe unë si deputet kërkojë sqarime nga organet tona të drejtësisë që dikush që akuzohet për terrorizëm të ketë masën e lehtë siç është arrestimi shtëpiak”, ka thënë tutje ai në intervistë për RTV Dukagjinin, në emisionin FIVE.
Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Abrashi është shprehur se tensionimi i situatës në veri ishte një “show, një skenar i dështuar i Serbisë” që ta detyrojë Kosovën të zmbrapset nga përpjekja e saj e ligjshme dhe e drejtë për shtrirë autoritetin dhe sovranitetin në gjithë territorin e vendit.
Gjithashtu, ai ka shtuar se ashtu siç i kanë vendos barrikadat ashtu edhe i hoqën, por sipas tij, ajo çka mbeti është përpjekja e qeverisë së Kosovës, për ta kryer punën edhe misionin e saj.