Kryeministri Albin Kurti ka folur për mediat pas takimit që pati me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, raporton Klankosova.tv
“Ditën e filluam me kryetarin Ali Ahmeti, pastaj me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski, e tash edhe me emisarin e posaçëm për Ballkanin, zotin Escobar nga DASH. Nga këtu do të shkojë në takim me presidentin Pendarovski, e më pastaj kemi takime bilaterale me ndërmjetësit evropian, me Borrellin dhe Lajçakun, që i paraprin takimit trilateral”.
“Liqeni i Ohrit është liqe tektonik, mirëpo është vend i qetë dhe i bukur”.
“Jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, kushtetutshmërinë, sovranitetin, integritetin territorial, interesin publik dhe popullit për të gjithë qytetarët pa dallim, sepse unë jam kryeministër i republikës i të gjithë qytetarëve pa dallim”.
“Me këtë rast, përveçse jam optimist, kam ardhur me qëllim dhe vullnet të mirë, dhe në mirëbesim që dakordimin e arritur më herët, që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më 27 shkurt, ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim”.
“Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar. Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve nuk mund të ketë marrëveshje. Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur, serioz që duhet të rezultojë në marrëveshje, e marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. Nuk kam ardhur për bisedime për bisedime, por për bisedime për marrëveshje”, tha Kurti.