Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se prej kur është themeluar Kuvendi i Kosovës, nuk ka ndodhur që një parti politike të bllokojë themelimin e një komisioni hetimor ashti siç ndodhi sot nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një konferencë për media, ai tha se grupi parlamentar i PDK-së sot kishte një propozim tejet të rëndësishëm për themelimin e një komisioni parlamentar, i cili do te hetonte gjithë angazhimi, punën dhe vendimet Qeverisë, vendimet e ZRRE-së, ato të KOSTT-it dhe të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat janë ndërmarr gjatë krizës energjetike.
“Ne konsiderojmë se gjatë kësaj periudhe tashmë kanë dal në dritë edhe mundësitë për keqpërdorimet e para që kanë ndodhë nga mjetet që janë ndarë nga Qeveria e Republikë së Kosovës. Asnjëherë në të kaluarën, asnjë grup parlamentar s’ka ndodhë që të refuzojë hedhjen dritë mbi çfarëdo keqpërdorimi të mundshëm që ka mundur të ndodhë nga cilado institucione qofshin ato e për çfarëdo çështje qofshin”.
“Hetimi parlamentar është i rregulluar me ligj. Është një instrument i opozitës që përdoret për hedhjen dritë mbi keqpërdorimet e mundshme nga institucionet e Republikës së Kosovës, dhe në të kaluarën si grup parlamentar i PDK-së dhe edhe partitë tjera, asnjëherë nuk ka ndodhë që të refuzojnë votimin e një komisioni të tillë parlamentar”.
Tahiri sqaroi se nga institucionet e Kosovës janë shpenzuar afër 200 milionë euro që sipas tij nuk e dinë numrin e saktë të tyre.
Kërkesa e grupit parlamentar dhe e partive tjera opozitare ishte që të hidhet dritë mbi shpenzimin e këtyre taksave të qytetareve, se si janë menaxhuar, ku kanë shkuar, kush ka përfituar nga to, kush kanë qenë kompanitë që kanë blerë rrymë në emër të Republikës së Kosovës, etj.
“Sot Qeveria Kurti ka hapur një debat për një aferë shumë të madhe korruptive, të cilën sot u mundua me vota ta ndalë, mirëpo opozita ka edhe instrumente tjera për krijimin e këtij komisioni. Siç e dini ligji parlamentar i lejon opozitës të themelojë një komision të tillë me 40 nënshkrime.”, përfundoi Tahiri.