Numërohen rreth 78% e votave të kandidatëve për deputet, Elezi flet për procedurat deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare

Numërohen rreth 78% e votave të kandidatëve për deputet, Elezi flet për procedurat deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se numërimi i votave të kandidatëve për deputetë po shkon drejt fundit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për gazetarë, ka deklaruar se deri sot në orën 16:00, janë numëruar rreth 78 përqind e vendvotimeve.

“Lidhur me numërimin e votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimin e rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime në Qendrat Komunale të Numërimit, KQZ njofton se deri më 18 shkurt, në orën 16:00, janë numëruar rreth 78% e vendvotimeve apo rreth 1,970 nga 2,533 sosh”, ka thënë Elezi.

Ai ka treguar edhe procedurat deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, KQZ duhet të numërojë votat e kandidatëve për deputetë dhe të bëjë verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime; numërimin e votave me kusht; votat e personave me nevoja të veçanta; votat nga votimi jashtë Kosovës; pas vendoset për ankesat eventuale nga PZAP dhe Gjykata Supreme dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka deklaruar Elezi.

Elezi ka dhënë detaje edhe për votimin nga diaspora, përkatësisht vlerësimin e pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës.

Deri tani ka thënë se janë refuzuar mbi 2 mijë pako, e janë aprovuar mbi 26 mijë. Ai ka folur edhe për arsyet e refuzuar këto dërgesa.

“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi po verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më tani, 18 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 28,099 pako, prej të cilave janë aprovuar 26,013, ndërkaq janë refuzuar 2,057. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë, etj”, ka shtuar Elezi.

Related Articles