Oda Ekonomike Amerikane kërkon të hiqen menjëherë masat kufizuese për importet nga Serbia

Oda Ekonomike Amerikane kërkon të hiqen menjëherë masat kufizuese për importet nga Serbia

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka kërkuar nga Qeveria heqjen e menjëhershme të masave kufizuese të importeve nga Serbia, të cilat sipas kësaj ode pengojnë interesat komerciale ndërkombëtare, përmes kufizimit të qarkullimit të mallrave nga markat e njohura botërore

“Sipas të dhënave zyrtare të shqyrtuara nga Oda Amerikane, importet nga kompanitë me pronësi të konsiderueshme amerikane kanë rënë me mbi 39% krahasuar me vitin 2022, duke theksuar ndikimin e konsiderueshëm që masat aktuale të Qeverisë së Kosovës kanë mbi ndërmarrjet ndërkombëtare”,thuhet në një njoftim për media të kësaj ode, raporton Klankosova.tv

Ndër të tjera, Oda Ekonomike Amerikane thekson se çdo pengesë për tregtinë, si ky ndalim, ka ndikuar pashmangshëm në rritjen e çmimeve të konsumit, duke rënduar më tej buxhetet e familjeve të Kosovës.

“Në rrethana kur Kosova tashmë ka hequr ndalesën për importin e lëndëve të para dhe produkteve gjysmëfinale nga Serbia, është e pakuptimtë dhe ironike që të mbahet në fuqi masa e cila ndalon importin e mallrave që përbëjnë interesa komerciale ndërkombëtare”, thanë nga kjo odë.

Oda Amerikane potencon se kanë shprehur shqetësimin e tyre ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor sa herë që ato vendosin barriera për eksportet e Kosovës.

Më tej, ajo thekson se normalizimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i kapërcen interesat bilaterale.

“Është një strategji thelbësore për çimentimin e stabilitetit rajonal dhe për të çuar përpara ambiciet e integrimit evropian.
Duke qenë vazhdimisht avokuese për politika të hapura dhe të balancuara tregtare, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon veprime të shpejta dhe vendimtare që do të mbështesin rritjen ekonomike, prosperitetin dhe harmoninë rajonale”.

Related Articles