Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës ka reaguar lidhur me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës karshi kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare, raporton Gazeta Enigma.
Oda Ekonomike Amerikane ka thënë se këto veprime nuk janë të koordinuara me aleatët dhe partnerët strategjikë, përfshirë edhe me SHBA-në dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Veprimet e tilla kanë ngritur shqetësime te shtetet që e kanë mbështetur me vendosmëri Kosovën përgjatë gjithë rrugëtimit të saj drejt shpalljes së pavarësisë dhe në procesin e vazhdueshëm të shtetndërtimit. Oda Amerikane është veçanërisht e shqetësuar me deklaratat e partnerëve kryesorë të Kosovës në lidhje me zbehjen e entuziazmit për mbështetjen e rrugës euroatlantike të Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, duke përfshirë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Dështimi i fundit për të siguruar anëtarësimin në Këshillin e Evropës është një shembull i qartë i rënies së mbështetjes. Suksesi i Kosovës në skenën ndërkombëtare ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me marrëdhëniet e forta që ajo ka kultivuar me aleatët e saj. Këto partneritete jo vetëm që kanë forcuar pozitën politike të Kosovës, por gjithashtu kanë qenë jetike në nxitjen e rritjes ekonomike. Kur Kosova vepron në përputhje me pritjet dhe udhëzimet e partnerëve të saj strategjikë, ajo dërgon një sinjal të fuqishëm të stabilitetit, besueshmërisë dhe përkushtimit ndaj vlerave të përbashkëta, cilësi këto thelbësore për tërheqjen dhe ruajtjen e investitorëve”, kanë theksuar nga kjo odë.
Oda Ekonomike Amerikane ka thënë se këto veprime rrezikojnë ta izolojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe ta dobësojnë pozitën e saj në negociata të rëndësishme.
“Ato gjithashtu mund të krijojnë një mjedis pasigurie që mund të dekurajojë investitorët potencialë, të cilët kërkojnë garanci se klima politike dhe ekonomike është e qëndrueshme dhe e parashikueshme. Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare ka qenë e rëndësishme në përparimin e Kosovës dhe çdo cenim i kësaj mbështetjeje mund të ketë pasoja me shtrirje të gjerë, si për ambiciet diplomatike ashtu edhe për ato ekonomike të vendit. Gjithashtu, Oda Amerikane është thellësisht e shqetësuar me diskursin e promovuar nga Qeveria, i cili po i kontribuon sentimenteve jomiqësore ndaj partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës. Një retorikë e tillë është e rrezikshme dhe mund të minojë ndjenjat e forta proamerikane dhe properëndimore që janë pasqyruar vazhdimisht në sondazhet e organizatave të njohura, duke përfshirë edhe atë të kryer së fundmi nga Instituti Republikan Ndërkombëtar. Çdo përkeqësim në këtë aspekt mund të ketë implikime serioze për të ardhmen e Kosovës, ndërsa qeveria aktuale duhet të jetë e vetëdijshme se do të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo gërryerje të këtij besimi dhe mbështetjeje në mesin e popullatës”, është thënë nga OEAK.
Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në dialog të hapur dhe të sinqertë me partnerët e saj ndërkombëtarë. / Gazeta Enigma.