Oda Hotelerisë e konfirmon: Sot merret vendimi për lejimin e dasmave

Oda Hotelerisë e konfirmon: Sot merret vendimi për lejimin e dasmave

Ndonëse ishte deklaruar se më 15 qershor do të zyrtarizohet vendimi për lejimin e dasmave dhe ahengjeve në Kosovë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, shkruan Gazeta “Enigma”.

I pyetur se a ka ndonjë ndryshim në këtë vendim, Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva ka konfirmuar për Gazetën “Enigma”, se sot do të mbahet një takim midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Odës që ai udhëheq.

Ai madje është shprehur se çështja e lejimit të dasmave tashmë ka përfunduar, dhe ky vendim pritet të zyrtarizohet sot.

“E rëndësishme ka qenë që të pranohet Manuali që e kemi përgatitur. Manuali është i gatshëm, në bazë të këtij manuali tash mund të mbahen dasmat, pra me 30 për qind të hapësirës së sallës. Pritet që së shpejti të merret edhe si vendim, por dasmat mund të mbahen në bazë të manualit”, tha Sogojeva për Gazetën “Enigma”.


Kujtojmë se të gjithë sektorët do t’i përshtaten manualit ekzistues ku në 30 për qind të hapësirave të mbyllura do të lejohet puna, e që i bie në 100 metër katrorë do të lejohen 40 persona.

Qeveria ditë më parë lehtësoi masat kundër COVID-19, duke hequr orën policore dhe duke i lejuar sektorit të gastronomisë të punojë deri në ora 23:00./Gazeta Enigma.

Related Articles