Oligarkët rusë kanë shprehur shqetësim për pushtimin rus në Ukrainë, teksa shtetet e Perëndimit vazhdojnë të godasin miliarderët e afërt me Kremlinin me më shumë sanksione, si pasojë e luftës.
Manjati rus, Oleg Deripaska, i cili njihet për lidhjet e ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, ka thënë më 7 mars në Twitter se lufta në Ukrainë duhet të ndalet sa më shpejt që është e mundur.
“Neve na duhet paqja sa më shpejt që është e mundur, pasi tashmë kemi kaluar pikën ku s’ka kthim. E gjithë bota do të jetë ndryshe, edhe Rusia do të jetë ndryshe”, ka thënë Deripaska.
Më 7 mars, edhe manjati tjetër rus, Vladimir Lisin ka thënë përmes një deklarate drejtuar punëtorëve në fabrikën e çelikut se jetët e humbura në Ukrainë përbëjnë tragjedi dhe vështirë arsyetohen, njofton REL.
Lisin ka bërë thirrje për përpjekje diplomatike për të zgjidhur konfliktin dhe ka thënë se shpreson që lufta do të ndalet shpejt
Biznesmeni i pasur rus, Oleg Tinkov, ka njoftuar më 6 mars se nuk është më miliarder, pasi ka humbur sasi të mëdha të parave, pas sanksioneve të Perëndimit.
Ai po ashtu u ka kërkuar mediave që të mos e quajnë oligark.
Javën e kaluar, Tinkov dhe tre manjatë tjerë rusë – Mikhail Fridman, Pyotr Aven dhe Aleksei Mordashov – të shënjestruar po ashtu nga sanksionet e Perëndimit – kanë bërë thirrje për ndalje të armiqësive./Gazeta Enigma/