Opozita dhe shoqëria civile njëzëri kritikojnë Qeverinë “Kurti” për tërheqjen nga reciprociteti

Opozita dhe shoqëria civile njëzëri kritikojnë Qeverinë “Kurti” për tërheqjen nga reciprociteti

“Nuk kam dashur që të sjellë menjëherë masa të reciprocitetit me asnjë shtet fqinj, jam e interesuar të zgjedhim problemet përmes mekanizmave rajonalë që i kemi tani”, ishte deklarata e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, që nxiti debat në vend, shkruan Gazeta “Enigma”.

Kjo deklaratë po cilësohet nga opozita dhe shoqëria civile si ndryshim qëndrimesh me marrjen e timonit të pushtetit nga ana e  Qeverisë “Kurti II”.

Madje pati të tillë që thanë se “Qeveria e lëshoi bajrakun për reciprocitetin”.

Por menjëherë pasi “vërshuan” kritikat kundrejt Qeverisë, u sqarua sërish ministrja Hajdari.

Ajo tha se u keqinterpretua, sepse reciprociteti mbetet në planin aktual të Qeverisë. “Unë nuk kam thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve, por kam thënë se nuk kam dashur që t’i vendosim menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë. Aktualisht po i finalizojmë analizat e gjendjes së raportit tregtar, para se të veprojmë. Tani kemi edhe drejtor të ri të doganave dhe meqë shumë prej barrierave të Serbisë nuk janë sistemike por sporadike, ne na duhet t’i përgatisim mirë zyrtarët tanë doganorë për ta zbatuar reciprocitetin”, sqaroi ajo.

Për këtë çështje, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi ka thënë se premtimet gjatë fushatave elektorale nga partitë politike janë të një rëndësie të posaçme, e cila më të marrë timonin e shtetit, i shërbejnë hartimit të programit qeverisës dhe parimet kryesore të qeverisjes së mirë.

“Çështja e premtimit të reciprocitetit, me përsëritjen se është njëra prej gjërave të para që do të bëhen, e pastaj ndryshimi rrënjësor, tregon shumë për seriozitetin ndaj qasjes së çështjes si dhe papërgjegjësinë publike ndaj fjalës së dhënë”, ka thënë ajo.

Kurse, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj për Gazetën “Enigma”, ka thënë se Qeveria “Kurti” i mashtroi qytetarët për të ardhur në pushtet.

“Mos vendosja e reciprocitetit tregon se kjo ka qenë një mashtrim elektoral si gjithçka tjetër për të marr disa vota më shumë dhe duke propaganduar nacionalizmin e tyre letrar. Dita ditës qytetarët po e kuptojë se premtimet dhe qëndrimet e tyre nga opozita ishin një hedhje hiri syve për vite me radhë dhe tashmë ka ardhur koha kur po njoftohemi me paaftësinë e tyre menaxheriale”, tha Lekaj.

Për Gazetën “Enigma”, foli edhe njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu. Ai theksoi se reciprociteti si normë duhet të vendoset kundrejt Serbisë, meqë një gjë e tillë parashihet edhe me ligjet e Kosovës.

“Qeverisë duhet dhënë kohë që brenda 100 ditëve të para të punës, ta riorientojë qasjen e saj strategjike ndaj reciprocitetit dhe tek pastaj të shihet dhe të kritikohet nëse është për tu kritikuar. Reciprociteti është në ligjet tona dhe në ligjet ndërkombëtare, është masë ligjore e çdo shteti”, tha ai.

Ai deklaroi po ashtu se “Strategjia e kryeministrit Kurti dhe Qeverisë, të cilën ai e ka paraqitur, nënkupton se reciprociteti nuk do të hiqet nga rendi i ditës, dhe se do të ketë një gradualitet në bazë të asaj se si është thënë. Ne kemi ligje në Kosovë që e njohin reciprocitetin dhe duhet zbatuar ky parim. Kemi edhe një praktikë me Serbinë e cila ka vendosur barriera jo parimore dhe jo korrekte kundrejt Kosovës, dhe se ato duhet studiuar dhe zbatuar në mënyrë që të vendoset për të ardhmen”.

Përndryshe pas emërimit si kryeministër, Albin Kurti dhe Qeveria e tij nuk kanë dhënë ndonjë afat kohor për vënien e reciprocitetit me Serbinë.  “Është çështje ditësh, javësh dhe kurrsesi muajsh. Nuk e di tash se cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do ta bëjmë”, kishte thënë Kurti, kur ishte pyetur se kur do t’i kthente masat reciproke me fqinjin verior./Gazeta Enigma.



Related Articles