Të ejten Qeveria e Kosovës ka njoftuar se nuk do të vazhdojë tutje me projektin për kyçjen e Kosovës në gazsjellësin ekzistues në Maqedoninë e Veriut, projekt ky i përkrahur nga MCC-ja amerikane, shkruan Gazeta Enigma.
“Përballë afateve kohore të MCC ne kemi vendosur të ecim tutje dhe të shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët por që ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekomomik dhe zhvillim të sektorit privat”, ka thënë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Opozita nuk pajtohet me vendimin e Qeverisë
Hajdar Beqa deputeti nga PDK-ja, në një prononcim për Gazetën “Enigma”, ka theksuar faktin se sa i rëndësishëm për Kosovën është ky projekt.
“Gazi përçues është plan strategjik i fuqive të mëdha dhe çdo devijim nga bashkpunimi me SHBA-të, është në dëm të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë ai.
Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës ka refuzuar gazpërçuesin amerikan.
“Qeveria refuzon projektin e gazit. Nuk pritet diçka më mirë prej një qeverie e përbërë prej praktikanteve dhe amaterave! Qeveri që mendon se me propagandë dhe fjalë të bukura qeveriset dhe mbahet shteti”, ka thënë Miftaraj.
Ndërsa, presidentja e Kosovës në një intervistë për Deutche Welle kishte deklaruar se për Kosovën s’mund të ketë rrugë tjetër pos asaj të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ky project nuk mund të quhet refuzim.
“Jo nuk mund të them që ka refuzim. Thjesht, ka studim të ekspertëve dhe të ministrive përkatëse, të cilat janë në diskutim të përditshëm me shtetin amerikan, në mënyrë që e gjitha të sqarohet. Mirëpo asnjëherë deri tani unë nuk kam dëgjuar ndonjë refuzim nga ana e qeverisë së Kosovës” ka thënë ajo.
Osmani ka theksuar se ka ende kohë dhe se afatet kohore për përgjigje janë të qarta nga ana e MCC në këtë rast.
“Unë kam folur personalisht me MCC dhe po ashtu me përfaqësues të shtetit amerikan, ku personalisht si presidente kam dhënë përkrahjen time nga aspekti gjeostrategjik dhe gjeopolitik, pa hyrë në detaje të implementimit, sepse ato i bëjnë ministritë përkatëse dhe jo presidentja e vendit”, është shprehur Osmani.
“Ky është një hap i gabuar strategjik”
Refuzimin për gazpërcuesin amerikan, sipas LDK-së është hap i gabuar strategjik dhe paranoizëm i pashpjegueshëm politik, krahasimi me gazin rus, duke shtuar se janë refuzuar 2000 milionë dollarë nga Kosova për këtë projekt.
“Përveçse, në paranoizmin e pashpjegueshëm politik, e cilësoi të njëjtin si “gaz rus”, me këtë vendim, Kosova i refuzoi dhe 200 milionë dollarë, që Presidenti Biden, kohë më parë i kishte konfirmuar si grant – fonde falë – për Republikën e Kosovës dhe projektin në fjalë. Ecja jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë e përbashkët në politikë, ekonomi, siguri e energjetikë.”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Ndërsa në anën tjetër, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në lidhje me projektin e gazit, ka reagur duke i drejtuar disa pytje kryeminstrit Kurti.
“Po iu pyes Kryeministër Kurti: Gjatë vizitës suaj të gjatë në Greqi, a e keni takuar ndonjërin nga përfaqësuesit e Gazpromit rus dhe a është kjo arsyeja e refuzimit të projektit të gazsjellësit amerikan!? Refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan është një veprim i rrezikshëm kundër interesave të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.
“Qeveria ka bërë gabim gjeo-strategjik kundër interesave të Kosovës”
“Qeveria e Kosovës ka bërë një gabim gjeo-strategjik që shkon kundër interesave kryesore të Kosovës. Të qenit pjesë e projekteve energjetike të mbështetura nga Amerika dhe diversifikimi i furnizimit me energji është thelbësore dhe strategjike për orientimin euroatlantik të Kosovës. Vendimi i sotëm është krejtësisht kundër kësaj!”, kështu është shprehur Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Pas reagimeve të shumta, të premten, ministrja Rizvanolli ka thënë se Kosova s`i ka humbur 200 milionë eurot e MCC-së, sepese sipas saj, vendimi është dashur të merret tash në mënyrë që të mos humben parat e ofruara, por që të shfrytëzohen vitin e ardhshëm.
“Nuk është humbur asnjë dollar i grantit. Ajo që kemi vendosur është thjesht që grantin ta shfrytëzojmë për projekte tjera, më saktësish për dekarbonizim të energjisë”, ka thënë ajo.
Tutje, Rizvanolli ka deklaruar se fokusi do të jetë në investime në kapacitete akumuluese të energjisë, investime në rrjetin energjetik duke përfshirë avancim të pajisjeve e rrjet të mençur, por edhe për investime në shkathtësitë punëtore, veçanërisht te gratë.
Qeveria e Kosovës përfundimisht ka refuzuar projektin e përkrahur nga MCC-ja amerikane për kyçjen e Kosovës në gazsjellësin ekzistues në Maqedoninë e Veriut./Gazeta “Enigma”/