Partitë opozitare në Kosovë janë skeptike për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës (KiE) gjatë këtij viti.
Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK kritikojnë ekzekutivin për mungesë të strategjisë dhe lobimit, kur muajin e ardhshëm bëhen 1 vit prej që Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në KiE. Në anën tjetër, nga Këshilli i Evropës nuk kanë kthyer përgjigje nëse aplikimi i Kosovës do të shqyrtohet në mbledhjen e Komitetit të Ministrave në muajin maj të këtij viti.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, thotë për KosovaPress se hezitimi për shqyrtim të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në KiE po qëndron edhe tek vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, krahas vendeve mosnjohëse.
Deputetja opozitare, e cila është edhe anëtare e delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, thekson se ka vende me fuqi të madhe që nuk po e përkrahin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
“Ne kemi dorëzuar aplikimin vetëm sa për sy e faqe. Nuk ka qenë në koordinim të plotë me aleatët tanë ndërkombëtarë, pasi po të ishte në koordinim të plotë me aleatët, sot çështja e Kosovës do të kishte përfunduar dhe kishte ndjekur hapat të tjerë, të cilët janë dorëzimi tek Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës… Problemi po qëndron tek vendet jo njohëse dhe tek vendet që na kanë njohur Kosovën, por hezitojnë që të votojnë ‘për’. Po ashtu ka hezitim edhe nga vendet në të cilat Serbia ka ndikim direkt. Kjo do të thotë se anëtarësimi bëhet edhe më i vështirë kur ke shtete njohëse dhe nuk të përkrahin në këtë proces. Pa dashur të zbulojë konfidencialitetin që e kemi në mbledhje atje, por unë jam jashtëzakonisht e shqetësuar që ka vende me fuqi botërore që nuk e përkrahin anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshill të Evropës. Kjo është arsyeja kryesore pse ne ende nuk jemi në agjendën formale”, thotë ajo.
Kritik karshi qeverisë për qasjen pas aplikimit në Këshill të Evropës është edhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, i cili thotë se MPJD-ja nuk është treguar aktive për të lobuar për anëtarësim në KiE.
“Ne kemi parë një pasivitet të madh të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Qeverisë së Kosovës në raport me Këshillin e Evropës. Për më tepër kemi pa skandale të tipit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili diçka tjetër ka postuar se është thënë në takim dhe pastaj është mohuar nga zyrtarët e Këshillit të Evropës… Këto sjellje tregojnë një qeveri e cila është e papërgjegjshme në raport me partnerët ndërkombëtarë”, deklaron Tahiri.
Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se Qeveria është dashur të jetë më këmbëngulëse për t’i siguruar votat për anëtarësim në KiE.
Megjithatë, ajo shton se tani është momentumi i duhur për anëtarësim në Këshill të Evropës.
“Është një momentum i mirë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës për shkak të suspendimit të Rusisë dhe që nuk mund të ketë veto. Po shpresojmë që gjithë ky lobim që është bërë të ketë rezultat, pasi është në interes të të gjithëve që Kosova me qenë pjesë e Këshillit të Evropës. Një rol po e luan edhe delegacioni i Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pasi vërtet e kanë bërë një punë të madhe në lobim, pasi i kanë mundësitë më të mëdha, janë pjesë e këtyre forumeve që Kosova nuk është”, shton Kadrijaj.
Mirëpo, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është optimiste se Kosova do të anëtarësohet në Këshill të Evropës brenda disa muajsh.
Ajo javën e kaluar para deputetëve deklaroi se votat janë siguruar dhe tani nuk duhet të kalojë shumë kohë për shqyrtim të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE.
“Çfarë ka ndodhur ndërkohë është se askush nuk ka dilemë që votat i kemi të siguruara, kjo ka qenë sfida kryesore që partnerët tanë kanë menduar se do të jetë më e madhja, sigurimi i votave të nevojshme për të pranuar kërkesën tonë. Votat janë siguruar dhe unë mendoj që nuk duhet të kalojë edhe shumë kohë, pasi janë shterur të gjitha procedurat për të kaluar kërkesën tonë nga Komiteti Ministror tek Asambleja Parlamentare e KiE”, tha ajo.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës më 12 maj të vitit 2022. Aplikacionin fillimisht e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pastaj, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.