I rrethuar me forca të mëdha policore, ish-presidenti Hashim Thaçi, ditën e djeshme erdhi në Kosovë, me leje nga Gjykata Speciale për t’a vizituar babain e tij i cili është i shtrirë në QKUK, shkruan Gazeta Enigma.
Kjo ishte hera e tretë që Thaçi vizitoi Kosovën, që nga arrestimi i tij nga Gjykata Speciale në Hagë të vitit 2020.
Specialja deklaroi se kjo vizitë u aprovua për arsye humanitare, edhe pse kjo kërkesë i ishte refuzuar disa herë ish-presidentit.
“Po mund ta konfirmoj. Për arsye detyruese humanitare, Trupi Gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin që të jetë me babain e tij. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në paraburgim nga Dhomat e Specializuara”, tha Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara Michael Doyl.
Ndërkohë, njeriu më i afërt, ish-këshilltari i Thaçit, Artan Behrami, theksoi se Gjykata Speciale nuk ka pranuar që ish-presidenti të vijë në Kosovë para fushatës ose gjatë fushatës elektorale.
“Të drejtat e zoti Thaçi dhe krerëve të UÇK-së u janë shkelur që nga dita e parë, kur janë marrë para pothuajse 5 vitesh. Dhe në mënyrë sistematike të drejtat e tyre janë shkelur. Në kohën e fundit e kemi parë që presidenti Thaçi dhe mbrojtja e tij kanë bërë disa kërkesa për të vizituar babin e tij, i cili është i sëmurë tash tri e më shumë, për të vizituar atë. Mirëpo Gjykatës Speciale, e udhëhequr prej doktrinave politike, ka anuluar vizitat e tij. Dhe kur i ka anuluar ato? I ka anuluar ato kur kemi qenë në një fushatë zgjedhore, pra Gjykatës Speciale nuk është ndonjë trup i pavarur që vendos larg politike, por pikërisht i analizon rrethanat politike, se cilës parti i bien mirë e cilës keq, ajo vendos se kur duhet ta vizitoj presidenti Thaçi babain e tij. Është e papranueshme që Gjykata Speciale në argumentin e tyre e kanë bërë një analizë se sa duhet me qenë i sëmurë dikush për ta vizituar të. Për të plotësuar këtë kriterin e vizitës humanitare. Unë mendoj që kjo është e padrejtë, pas katër kërkesave më në fund presidenti Thaçi është lejuar të vij ë babi i tij. Të vizitojë babain e tij. Më mirë do të ishte ta vizitonte tri jave më përpara. Meqë kur dikush është i shtrirë në spital, zakonisht gjendja e tyre më shumë ka predispozita më u përkeqësua. E orientuar nga paragjykimet por edhe nga analizat politike Gjykata Speciale nuk ka dashur që presidenti Thaçi të vijë para fushatës ose gjatë fushatës elektorale. Dhe ka prit që fushata dhe zgjedhjet të kalojnë dhe nëse babai i presidentit është gjallë deri atëherë ia lejojnë vizitë. Dhe kështu ndodhi”, ka thënë Behrami
E kjo vizitë e Thaçit, ngjalli reagime të shumta nga skema politike.
Kandidati i PDK-së për kryeministër Bedri Hamza, e cilësoi të padrejtë vonesën në lejimin e kësaj vizite dhe mënyrën se si u trajtua kreu i dikurshëm i shtetit.
“Me zotin Thaçi, me presidentin Thaçi përvec relacioneve të punës kam edhe raporte personale dhe familjare. Sigurisht se këto janë edhe emisione të përziera, për shkak se anën pozitive të kësaj vizite e shoh në faktin që pas shumë kërkesave, iu ka jep e drejta për vizituar babin e tij të sëmurë në QKUK. Edhe unë e kam vizituar bacin Haxhi, e kam mik të mirë. Dhe kjo është ajo pjesa e bukur. Ndërsa ana tjetër paraqet diçka total diçka të panevojshme. Janë ato pamje. Janë gjithë këto vonesa me iu njoft një e drejtë njerëzore që me vizitu prindin e tij, jo në gjende të mirë shëndetësore. Jam i binur që përtej dallimeve politike, kjo pamje kjo mënyrë totalisht e panevojshme dhe paarsyeshme nuk janë ato të duhurat që i nevojiten këtij rasti dhe nuk i meriton as presidenti e as Kosova”, ka thënë Hamza.
Avokati i akredituar pranë Dhomave të Specializuara, Artan Qerkini, ka kritikuar Gjykatën Speciale për masat e mëdha të sigurisë të vendosura gjatë vizitës së djeshme të Thaçit në QKUK.
Ai ka bërë me dije se ndërmarrja e këtyre masave ka qenë e tepruar.
Sipas tij, ish-presidenti i Kosovës i është dorëzuar vullnetarisht Gjykatës Speciale.
“Mendoj se siguria e cila po imponohet me rastin e vizitave të karakterin humanitar është e tepruar. Ngase edhe zoti Thaçi dhe të gjithë përsonat e akuzuar pranë Dhomave të Specializuara kanë treguar gatishmëri të jashtëzakonshme për bashkëpunim. Janë paraqitur vetë nuk ka pas nevojë të arrestohen. Gjithmonë kanë pas gatishmëri të bashkëpunojnë me gjykatën. Kështu marrë parasysh gjithë këto rrethana siguria që po imponohet është e tepruar”, tha Qerkini.
Vlora Çitaku, nga PDK, reagoi menjëherë duke thënë se “Dielli do të lindë përsëri”.
Një koment për ardhjen e Thaçit e pati edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili publikoi një foto të ish-presidentit të Kosovës, me mbishkrimin “Burrë”.
Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri, për vizitën e tij ka thënë se ai edhe sot ishte kryelartë, si në luftë dhe në Rambuje.
“Si në luftë, si në Rambuje kryelartë ashtu edhe sot kur vizitove babën e sëmurë, miku im i lirisë dhe pavarësisë!”, tha Tahiri.
Njëri prej mjekëve i cili pati rastin ta takonte ish-presidentin Hashim Thaçi, tregoi për emocionet që i përjetoi gjatë takimit.
”Me lot në sy jam, presidentin e kam takuar me lot në sy. Jam krenar që e takova në Klinikën Interne në Kardiologji. E kam përcjellë deri te shkallët që ka qenë siguri e llahtarshme. Me lot në sy kam qenë beso. Shumë emocione kam pas. Një luftarak i madh i çështjes kombëtare me qenë në Hagë, është shumë e padrejtë. Në emocione prapë jam. Shumë shpejt, veç përshëndetje, sepse nuk lejonte EULEX-i. Më duket qëndroi tri orë”, tha tekniku i Radiologjisë, Selman Rexhepi
Kryetari i Komunes së Drenasit Ramiz Lladrovci ka komentuar vizitën e ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili tha se sot në Kosovë gjithçka lëvizi ndryshe.
“Sot, në Kosovën tonë, gjithçka lëvizi, ishte krejt ndryshe. Emocionet na mundën dhimbjen. Hashimi e vizitoi Bacën Haxhi. Mbi Kosovën, kishte vranësirë, por, nuk janë re të zeza. Faleminderit President!”, tha Lladrovci.
“I vyshkur në ballë, por i thelluar në burrni”, është mënyra sesi gazetari Baton Haxhiu e ka përshkruar ish-presidentin Hashim Thaçi.
“E njoh që nga viti 1992, kur ka thënë po shkojë në luftë, edhe sot që është hero, njeriu që ka sakrifikuar për të qenë në Hagë, për faktin se projektuesit e paqes është dashur t’i fusin në burg, janë këta burokratët politikë të cilët e kanë projektuar të gjitha vendet cilat kanë qenë në luftë në Ballkan t’i kenë njerëzit në burgun e Hagës, njeriu që më së paku e ka merituar është Hashim Thaçi, ky është një viktimë. Ky është njeriu i fundit që projekton vrasje, shkatërrim. E kisha parasysh aktakuzën e Hagës, ajo që më vjen keq është që dëshmitarët e mbrojtur janë pjesa që e kanë ndërtu rrëfimin gënjeshtër për Hashim Thaçin”, tha Haxhiu.
Anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, ka uruar Thaçin, se herën tjetër kur të vish në Kosovë, ardhsh për të qëndruar bashkë me të tjerët.
“Herën tjetër, ardhsh për të qëndruar! Bashkë me të tjerët. Qëndroni krenarë dhe të fortë!”, shkroi Haradinaj./GAZETAENIGMA/