Osmani: Aleatët të na ndihmojnë në ndaljen e veprimeve destabilizuese të Serbisë

Osmani: Aleatët të na ndihmojnë në ndaljen e veprimeve destabilizuese të Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se shtetet aleate duhet të ndihmojnë në ndaljen e veprimeve destabilizuese të Serbisë në veri, derisa shtoi se duhet të kërkohet edhe zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel.

Ajo, në Samitin e liderëve evropianë në Moldavi, deklaroi se është e rëndësishme të takohet me liderët evropianë për t’iu shpjeguar se çka po ndodh aktualisht në veri.

“Serbia ka shërbyer si satelit i Rusisë. Unë jam këtu për të kërkuar përkrahje të partnerëve t’i luftuar këto tendencave dhe të parandalohet ndikimi i këtyre…Vuçiqi është i interesuar që nga bandat kriminale të destabilizojë, s’duhet të lejohet një gjë e tillë… Kam takime me të gjithë liderët që marrin pjesë në këtë samit. Është me rëndësi që të kërkojmë përkrahjen…dhe të ecim në Këshill të Evropës, por edhe të shpjegojmë se çka po ngjan në veri. Po ashtu, do të kërkoj ndihmën e tyre që t’i luftojnë grupet kriminale në veri që po destabilizojnë vendin tonë”, shtoi ajo.

Osmani tha para mediave se bandat kriminale po i terrorizojnë edhe qytetarët në veri.

“Është me rëndësi që nga Serbia të kërkohet t’i ndalë veprimet destabilizuese dhe bandat kriminale. Këto janë grupe që janë në listën e zezë zë SHBA-së dhe të Britanisë. Ata po terrorizojnë qytetarët çdo ditë…Na duhet ndihma e aleatëve të jemi më të fokusuar në luftimin e grupeve, por urdhri ndaj tyre vjen nga Vuçiqi. Dihet kush i nxit ato, pra presioni duhet të jetë te Beogradi që ta ndalin dhunën… Kur ka dhunë, çdo zgjidhje mund edhe të fokusohet në implementimin e Marrëveshjes së Brukselit”, tha presidentja Osmani.

Ajo bëri të ditur se s’ka plan të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, derisa tha se insiston që marrëveshjet e dakorduara të zbatohen.

Related Articles