Protestuesit serb mblidhen edhe në Leposaviq

Protestuesit serb mblidhen edhe në Leposaviq

Protestues serbë kanë nisur të mblidhen edhe në Leposaviq, ku para objektit të komunës duken ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, raporton REL.

KFOR-i dje i ka shtuar masat e sigurisë përreth objekteve komunale në komunat veriore, duke vendosur dy rende telash me gjemba një mbi një, pasi të hënën në Zveçan rreth 30 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s mbetën të lënduar në një përplasje me protestuesit e dhunshëm të cilët i goditën me çka kishin ushtarët, duke hedhur në drejtim të tyre edhe mjete plasëse si shok-bomba dhe molotov.

Situata për momentin është e qetë në të tri qytetet veriore.

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë thënë se do t’i vazhdojnë protestat derisa të përmbushen kërkesat e tyre, që janë tërhiqja e kryetarëve shqiptarë dhe policëve të Kosovës nga komunat veriore.

Kërkesë të njëjtë i kanë bërë kryeministrit Albin Kurti edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Eurpian. Këmbëngulja e shefit të Qeverisë së Kosovës se kryetarët duhet të shkojnë në komuna rezultoi me përjashtimin e FSK-së nga ushtrimi i madh ndërkombëtar ushtarak, i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender Europe ’23”.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier tha të martën se kjo është “pasoja e parë” për Qeverinë e Kosovës, që, siç tha ai, nuk i dëgjoi kërkesat e Washingtonit për shtensionimin e situatës.

Related Articles