Kryetari i ri i Mitrovicës, Faton Peci, të hënën e ka pritur në zyrë presidenten Vjosa Osmani, e cila e uroi për marrjen e mandatit si kryetar, shkruan Gazeta Enigma.
Pas takimit Peci tha se diskutuan me presidenten për nevojat e mitrovicasve.
“Diskutuam për të gjitha nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të Mitrovicës. Ne jemi me fat që si Mitrovicë, gjatë këtij mandati nga Mitrovica kemi pasur një ëprfaqësim shumë dinjitoz në politikën e jashtme, duke filluar nga bashkëvendësja jonë”, tha Peci.
Ai tha se Osmani është presidentja më e mirë prej që Kosova është shtet i pavarur.
Më pas Osmani e uroi Pecin për detyrën e re duke thënë se është “jashtëzakonisht e rëndësishme dhe sfiduese”
“Por jam besimplotë që do t’ia dilni ju dhe ekipi juaj i jashtëzakonshëm në mënyrë që për të gjithë qytetarët e Mitrovicës të sjellni edhe më shumë perspektivë, projekte, zhvillim dhe shpresë”, tha Osmani.
Osmani foli edhe për lidhjen e kahmotshme me Pecin.
“I uroj shumë suksese kryetarit, jam e bindur se ashtu do të jetë duke e ditur vullnetin me të cilin punon dhe seriozitetin me të cilin e merr secilën punë dhe jam e bindur edhe nga aspekti politik, duke e ditur rëndësinë e Mitrovicës për shtetin tonë, do të bashkëpunojmë sa më shumë të jetë e mundur, në mënyrë që të vazhdojmë ta ruajmë sovranitetin e Republikës së Kosovës, integritetin territorial. Këto toka kanë qenë gjithmonë të shqiptarëve dhe vetë trashëgimia kulturore ilire që shihet kudo në pjesët veriore sado të largëta brenda territorit tonë është dëshmia më e madhe e kësaj”, tha Osmani.
