Osmani: FSK-ja u shndërrua në ndërtuese dhe garantuese e paqes globale

Osmani: FSK-ja u shndërrua në ndërtuese dhe garantuese e paqes globale

Komandantja Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, ka uruar të gjithë ushtarët dhe qytetarët për ditën e Forcës.

Në ceremoninë për shënimin e Ditës së Forcës, ajo deklaroi se FSK-ja është shndërruar nga ruajtëse e paqes së brendshme në faktorë të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë globale.

“Jam po kaq e lumtur që që nga nëntori i vitit të kaluar kur ne e shënuam bashkë ditën tuaj forcat tona kanë shënuar një zhvillim të hovshëm duke u shndërruar nga ruajtëse e paqes së brendshme në faktorë të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë globale si partner i besueshëm e i rëndësishëm i ushtrisë më të rëndësishme në botë asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të tjerë brenda aleancës më të fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit, atë të NATO-s”, u shpreh Osmani.

Ajo listoi disa nga të arriturat historike të Forcës së Sigurisë së Kosovës duke thënë se po shkon kah rruga e drejt e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n. Ajo tha se muaj më parë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës për herë të parë në historinë e forcave tona zbarkuan në një mision paqeruajtës ndërkombëtar në Kuvajt në kuadër të kontingjentit të Gardës së IOWA-s të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.

“Ky ishte hapi i parë por tepër i rëndësishëm për të parë të realizuar ëndrrën tonë e tuajën për të qenë ndërtues dhe garantues të paqes globale si dhe për të shërbyer përkrah aleatëve tanë historik në sigurimin e sigurisë globale. Pjesë e fuqizimit të FKS-së ishte edhe furnizimi me pajisje dhe automjete ushtarake përfshirë 55 automjete të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara”.

“FSK-ja ka kuptuar drejtë ndjenjën e popullit të Kosovës për tu bërë pjesë e aleancës sonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke ndihmuar në krizën e refugjatëve afganë – transportimi e përcjellja e shumë refugjatëve afganë nga Aeroporti i Prishtinës për në kampet në Ferizaj është edhe shenjë e zbatimit të vendimeve të institucioneve me dinjitetet por edhe kultivimit të ndjenjës së përkrahjes për të zhvendosurit” deklaroi Osmani.

Ajo ndau medaljet për ushtarët që treguan performancë të lartë në shkollim, trajnim ushtarak si dhe prezantim të denjë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Nëntorger, Arilena Shala, rreshter Fazli Kashtanjeva, kapiten Fitim Kadrijaj, rreshter Hysen Fetahu, nëntoger Iliran Bunjaku dhe tetar Sokol Ahmeti janë ushtarët e dalluar që u dekoruan nga presidentja Osmani./Gazeta “Enigma”/

Related Articles