“Shuplaka është dhunë, Dhuna është krim”, fushata kundër dhunës në familje, në Kosovë gratë përbëjnë numrin më të madh të viktimave

“Shuplaka është dhunë, Dhuna është krim”, fushata kundër dhunës në familje, në Kosovë gratë përbëjnë numrin më të madh të viktimave

Misioni i OSBE-së dhe Policia e Kosovës, të enjten, kanë nisur një fushatë të përbashkët kundër dhunës në familje, raporton Gazeta “Enigma”.

E gjithë kjo, sipas tyre për të rritur ndërgjegjësimin për këtë shqetësim në rritje dhe për të përmirësuar parandalimin e saj.

Në Kosovë, shumica e viktimave të dhunës në familje janë gra

Sipas të dhënave nga policia e Kosovës, deri në shtator të vitit 2021, si viktima të dhunës në familje janë raportuar 1,845 raste, ku prej tyre 1,437gra dhe 408 burra, thuhet në përgjigjjen e tyre për Gazetën “Enigma”.

Statistikat e dhunës ne familje 2018 – Shtator 20212018201920202021 janar shtator
Totali i rasteve1533191420691819
Total i viktimave1562197821011845
Viktima femra1228159316361437
Viktima meshkuj334385465408
Statistikat për rastet e dhunës në familje nder vite, si dhe janar- shtator 2021

Ndërsa nga të dhënat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kanë deklaruar se gjatë periudhës janar – tetor, 2021, ky institucion ka pranuar 1,028 raste të dhunës, ndërsa prej tyre, ka zgjidhur 711.

Ai që të don nuk të dënon, ai që të don nuk të ndëshkon, por të respekton

Kështu është shprehur aktivistja për të drejtat e gruas, Sadete Tërnava-Osmani, e cila dhunën në familje e ka konsideruar si shqetësim të  vazhdushëm për shoqërin tonë, duke komentuar rëndësin e 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në familje organizuar nga Misioni i OSBE-së dhe Policia e Kosovës .

“Si aktiviste e të drejtave të grave, konsideroj se këto 16 ditët aktive, janë ditë të cilat janë të përmbushura me plotë aktivitete, nëpër të dy nivelet, qëndrore dhe lokale. Në çdo pjesë të botës bëhen kampanje të ndryshme, dhe ngjyra bazë që i prin kësaj kampanje është ngjyra e portokallt si simbol për mbrojtën e grave”

“Brenda kësaj kohe çmimi kryesor është që të ngritet vetëdija kundër dhunës ndaj vajzave dhe ndaj grave”, ka theksuar Tërnava-Osmani.

Tutje ajo ka deklarur se është për tu quditur se si një vend siç është Kosova, me një numër kaq të vogël të banorëve, ka kaq shumë dhunë, e cila bazohet në statsitikat e dhëna nga Policia e Kosovës, ku rezulton se vetëm gjatë vitit 2020 ishin të raportuara afro 2000 raste të dhunës në familje.

“Janë 2 mijë raste të raportuara në polici vetëm gjatë vitit 2020, por ka edhe raste të cilat nuk janë raportuar fare. Si aktiviste e kësaj fushe mendoj se kjo është shenjë për alarm”, ka potencuar Tërnava-Osmani për Gazetën “Enigma”.

Ndërsa ka shtuar se ka arsye të shumta pse vie deri tek dhuna.

“Nuk dua të flas per arsyet sepse ato janë të shumta, por mbi të gjitha une mendoj se pergjithësisht arsyja numër një, e cila është shtyese e kësaj dhune kaq të madhe që e kemi, është se ne si popull, them më mirë burrat tanë, janë të kushtëzuar kulturarisht dhe tradicionalisht për ti nënqmuar gratë”.

Sadete Tërnava-Osmani, aktiviste për të drejtat e gruas

A ndikon çështja ekonomike në rritjen e rasteve të dhunës në familje?

“Mua nuk me pëlqen kur thonë se është arsyja ekonomike, si shkaktar. Unë mendoj që nuk ka këtu arsye ekonomike, arsye sociale, fshat-qytet, ose i shkolluar -i pa shkolluar, sepse dhunën e bëjnë edhe të shkolluarit edhe të pashkolluarit, edhe të rinjët edhe  pleqtë, edhe të pasurit edhe të varfurit” pohoi ajo.

Sipas saj, arsyja pse gratë maltretohen në Kosovë, është çështje që kushtëzohet kulturarisht dhe patriarkalisht.

Aktivistja Sadete Tërnava-Osmani thotë se nuk duhet të ketë arsye si: “Ma ktheu fjalën, më tradhëtoj me dikë, nuk ma bëri drekën, nuk ma solli kafen etj…”, për të abuzuar me gratë.

“Nuk mund të ketë arsye, e gjitha qëndron ne patriarkalitetin e asaj, se ne gruajen e shohim si pronë, dhe në momentin që ato janë vetëvetja , meshkujt vazhdojnë, me abuzime, kërcënime e deri tek vrasja e tyre.

E pyetur se a po bën mjaftushëm shoqëria jonë për parandalimin e dhunës, ajo u shpreh se “Të gjithë në njëfarë mënyre po i mbyllim sytë ndaj këtyre rasteve”.

“Pikërisht është kjo, vajzat, djemtë, e të gjithë po i mbyllim sytë karshi dhunës qe e shohim çdo herë. Çdo ditë po turpërohemi me rrahjet dhe vrasjet që po ua bëjmë grave”, ka përfunduar Osmani.

“1 në 3 gra janë dhunuar gjatë jetës së tyre”

Sipas organizatës UN Women, gati 1 në 3 gra janë dhunuar gjatë jetës së tyre. “Në kohë krizash, numrat rriten, siç shihet gjatë pandemisë COVID-19 dhe krizave të fundit humanitare, konflikteve dhe fatkeqësive klimatike gati 1 në 3 gra janë dhunuar gjatë jetës së tyre”, thuhet në një njoftim të tyre.

Një raport i ri nga UN Women, bazuar në të dhënat nga 13 vende që nga pandemia, tregon se 2 në 3 gra raportuan se ato ose një grua që e njohin kanë përjetuar një formë dhune dhe kanë më shumë gjasa të përballen me pasigurinë ushqimore. Vetëm 1 në 10 gra tha se viktimat do të shkonin në polici për ndihmë.

Organizata Joqeveritare “Gruaja Hyjnore” me aktivitet kundër dhunës në familje

Në kuadër të fushatës së përbashkët kundër dhunës në familje, të enjten u zhvillua një aktivitet edhe në qytetin e Gjilanit, organizuar nga Organizata Joqeveritare “Gruaja Hyjnore”.

Me pankarta në duar, shumë gra e burra u panë para teatrit të qytetit të Gjilanit, duke shënuar kështu, 25 Nëntorin, Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës në baza Gjinore.

Në lidhje me këtë, Igballe Hajdari, Drejtoreshë ekzekutive në OJQ ” Gruaja Hyjnore”, ka thënë se viktimat e dhunës nuk duhet të heshtin.

“Dhuna që ndodh brenda shtëpisë nuk duhet të konsiderohet si çështje private, ajo duhet të raportohet. Prandaj, dil fol e MosHesht” ka thënë Hajdari”.

Igballe Hajdari, Drejtoreshë ekzekutive në OJQ ” Gruaja Hyjnore”

Ndërsa, për Sociologun Ismajl Veliu, dhuna në familje është një fenomen i përhapur në shoqerinë tonë.

“Dhuna ndodh në mes të partnereve të ngushtë dhe ndodh në familje. Ndodh në të gjitha klasat shoqërore, pavarësisht moshës, arsimit, fesë, gjendjës ekonomike, etnisë, ose identitetit kulturor”.

Ai thotë se Abuzimi mund të prekë çdo aspekt të jetës së përsonit të abuzuar.

“Mund të cenojë shendetin e tyre mendor dhe fizik. Të qenit viktimë e dhunës në familje në aspektin psikologjik dhe social mund të shkatërrojë vetëvlersimin dhe vetëbesimin e një personi”

Ismajl Veliu, Sociolog

Tutje Veliu, ka shtuar se numri i raportimeve të rasteve të dhunës është tejet i vogël.

“Edhe pse dihet se në Kosovë ekziston një numër i madh rastesh të familjeve në të cilat ushtohet dhunë në një mënyrë ose tjetër, numri i raportimeve është në masë shumë të vogël’’, është deklaruar psikologu Veliu.

Kujtojmë se, fushata do të ketë 16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës me bazë Gjinore, që ka filluar nga 25 Nëntori e që do të zgjas deri më 10 Dhjetor 2021.

Mesazhi i saj kryesor i kësaj fushate është “Shuplaka është dhunë, Dhuna është krim” dhe synon të nënvizojë se dhuna në familje është njëkohësisht shkelje e të drejtave të njeriut dhe krim, edhe nëse ndodh brenda familjes.

Këtë periudh dy javore do t`u bëhet thirrje viktimave dhe dëshmitarëve që të raportojnë rastet e mundshme në polici.

Kjo fushatë përfshin tabela të vendosura në mbarë Kosovën, spote televizive dhe debate, si dhe do të shënojë “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” të vëzhguara në mbarë botën./Gazeta “Enigma”/

Related Articles