Osmani i drejtohet Kushtetueses për emërimin e anëtarëve të KQZ-së

Osmani i drejtohet Kushtetueses për emërimin e anëtarëve të KQZ-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhor.

Dilema kushtetuese, sipas kabinetit të presidentes Osmani, është për shkak se partitë kanë bërë më shumë propozime sesa që parasheh Kushtetuta.

“Presidentja  Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sapo ta marrë përgjigjen, do të vijohet me emërim. Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, thuhet në përgjigjen për Kohën nga Kabineti i Presidentes.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar tre kandidatë për përfaqësim në KQZ, ani se Kushtetuta thotë ndryshe. Burime të KOHËS thanë se Alban Krasniqi është propozuar për edhe një mandat, ndërsa emra të rinj janë Violeta Emini dhe Njazi Isaku. Në Kushtetutë theksohet se gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga 6 grupet më të mëdha parlamentare që nuk mbajnë vende të rezervuara. E, nëse në Kuvend ka më pak grupe parlamentare, Kushtetuta thotë se grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë. Burime të KOHËS thanë se PDK-ja ka propozuar për anëtarë të KQZ-së, Ilir Gashin dhe Rashit Qalajn, LDK-ja Sami Hamitin e AAK-ja Muharrem Nitajn. Sipas këtyre burimeve, nga komunitetet, vetëm nga ai turk është propozuar anëtari që ka shërbyer në mandatin aktual, ndërsa të tjerët janë emra të rinj.

Njësoj më 2021 kur Vetëvendosje pati fituar 50 për qind të votave, pati insistuar në propozimin e tre kandidatëve, por presidentja Osmani pati emëruar dy.

E një zvarritje të tillë të emërimit të anëtarëve të KQZ-së e pati bërë për disa muaj pas zgjedhjeve të 2017-ës edhe ish-presidenti Hashim Thaçi.

Related Articles