Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nderuar ushtarët amerikanë që humbën jetën tragjikisht në Lituani gjatë disa ushtrimeve, raporton gazeta “Enigma”.
“Sot u bashkohemi miqve tanë amerikanë në zinë për tre ushtarët e guximshëm amerikanë që humbën jetë gjatë një ushtrimi të udhëhequr nga ShBA-ja në Lituani – larg nga shtëpia, por kurrë larg nga nderi”, ka shkruar Osmani në Facebook.
“Në Lituani, në Kosovë, dhe në krejt Aleancën, i kujtojmë ata, dhe qëndrojmë solidarë teksa vazhdojnë pëprjekjet për lokalizimin e ushtarit të katërt”.
Ndryshe, tre prej katër ushtarëve amerikanë që ishin zhdukur në Lituani prej javës së kaluar, janë gjetur të vdekur të hënën, ka thënë ushtria amerikane, pasi ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin automjetin e blinduar prej një moçali.
“Tre ushtarë amerikanë janë gjetur të vdekur sot në Lituani”, ka thënë Zyra e ushtrisë amerikane për Evropën dhe Afrikën, përmes një komunikate.
Në të është thënë se “operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar për ushtarin e katërt”, ndërsa identitetet nuk u janë bërë publike derisa të njoftohen familjarët dhe të merret konfirmimi i tyre.
Qindra punëtorë lokalë dhe të huaj, dhe pjesëtarë të kërkim-shpëtimit, përfshirë inxhinierë dhe zhytës janë të përfshirë në kërkimet për të gjetur edhe pjesëtarin e katërt që ka qenë në makinën e blinduar, M88 Hercules.
Lituania, vend anëtar i NATO-s dhe BE-së, është nikoqire e mbi 1.000 trupave amerikane që janë të stacionuara në baza rotative.