Osmani në DASH, flet për rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO

Osmani në DASH, flet për rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO gjatë takimit të saj me zyrtarin e lartë amerikan në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Louis Bono, në Uashington më 5 shkurt.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit, Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO “përveç se do ta fuqizonte sigurinë në Kosovë e rajon, është përfundimisht edhe në harmoni me objektivat strategjike amerikane për paqen dhe sigurinë globale”.

“Ajo konfirmoi se Kosova ka rritur tashmë buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor dhe është në proces të rritjes së këtij buxheti për të përmbushur objektivin strategjik të anëtarësimit në NATO”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua për mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat e mbrojtjes dhe ekonomisë dhe për “forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përputhje me objektivat e Administratës së presidentit Trump”.

“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e forcimit të sigurisë rajonale dhe nevojën për një qëndrim të fuqishëm parandalues përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aktorë të tjerë keqdashës”, thuhet tutje në njoftim.

Bono e mori detyrën më 20 janar, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e filloi zyrtarisht mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe Osmani do të jetë udhëheqësja e parë kosovare që takohet me një zyrtar të administratës Trump.

Bono është anëtar i Shërbimit të Lartë të Jashtëm dhe së fundmi ka shërbyer si këshilltar i lartë për Negociatat në Kaukaz.

Ai ka punuar edhe në Ambasadën amerikane në Berlin, si dhe ka qenë zëvendëspërfaqësues i përhershëm në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Vjenë dhe në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

Osmani ndodhet në SHBA me ftesë të një grupi kongresistësh amerikanë, për të marrë pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit, si dhe për të mbajtur fjalim në njërën nga ngjarjet kryesore të këtij organizimi të Kongresit amerikan.

“Me këtë rast, ajo do të flasë për rrugëtimin e popullit të Kosovës nga ditët më të vështira deri te sukseset e sotme, duke theksuar besimin e pashoq dhe qëndrueshmërinë e qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim.

Lutjet e Mëngjesit mbahen çdo vit, zakonisht të enjten e parë të shkurtit, dhe marrin pjesë politikanë të lartë amerikanë dhe mysafirë të huaj. Ngjarja përcillet me një fjalim nga presidenti i SHBA-së.

Presidenca tha gjithashtu se Osmani do të zhvillojë gjithashtu takime me kongresistë amerikanë dhe zyrtarë të administratës së SHBA-së, “me fokus në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe avancimin e aspiratave euroatlantike të vendit tonë”.

Osmani, e cila e kishte uruar Trumpin pasi i fitoi zgjedhjet në nëntor, në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës në fund të vitit të kaluar bëri thirrje para deputetëve për ruajtjen e marrëdhënieve me vendet aleate, duke thënë se cenimi i raporteve me këto vende e cenon vetë Kosovën.

Ajo tha asokohe se aleanca e Kosovës me vendet e tjera është “më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.

Osmani i bëri ato thirrje në një kohë kur Qeveria e Kosovës po kritikohej nga bashkësia ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për veprime të “njëanshme dhe të pakoordinuara” në veriun e banuar me shumicë serbe, të cilat lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi apo mbylljen e institucioneve serbe.

Vizita e Osmanit në DASH pason deklaratat e dy ditëve më parë të të dërguarit amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.

Grenell – ish-ambasador amerikan në Berlin – i bëri këto kritika në rrjetin social X, më pak se një javë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 9 shkurt.

Kurti i ka justifikuar ato veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

James O’Brien, i cili në administratën e paraardhësit të Trumpit, Joe Biden, ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit, ka thënë se Kurti, me veprime të tilla, ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

Edhe pas kësaj deklarate, Kurti ka këmbëngulur se SHBA-ja mbetet partnerja më e rëndësishme e Kosovës.

Related Articles