Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si nikoqire e eventit ka hapur të hënën dyert e edicionit të tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, raporton Gazeta Enigma.
Ajo në fjalimin e saj ka theksuar rolin thelbësor të grave dhe fëmijëve në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe duke e konsideruar këtë forum si një thirrje për veprim global në kohëra të pasigurta
“Një hap vizionar përpara që njohu faktin se ne në Kosovë gjithmonë kemi ditur se paqja nuk mund të mbahet pa udhëheqjen, mençurinë dhe qëndrueshmërinë e grave. Por dy dekada e gjysmë më vonë, bota ende po lufton, ende po lufton që këto parime të bëhen realitet. Zonja dhe zotërinj, pak më shumë se dy dekada më parë, fëmijët e këtij vendi panë tmerrin që asnjë fëmijë nuk duhet ta përjetojë dhe nënat i humbën dhe i varrosën fëmijët e tyre si pasojë e luftës. E megjithatë, në orët më të errëta, ishin gratë e këtij vendi ato që na mbajtën zemrat e thyera të bashkuara”, tha ajo.
Ajo kujtoi fuqinë dhe qëndresën e grave të Kosovës gjatë dhe pas luftës, duke theksuar se ato nuk pranuan të shiheshin si viktima, por si ndërtuese të paqes, të lirisë dhe të një të ardhme më të drejtë.
“Është një thirrje. Një thirrje për të ndërprerë ciklet e dhunës. Një thirrje për të ndërtuar një paqe që nuk është pasive, por dinamike, guximtare, përfaqësuese dhe e drejtë. Një paqe që duhet të shndërrohet në imperativin e kohës sonë. Një paqe që e vendos sigurinë e fëmijëve në qendër të angazhimit tonë. Sepse paqja nuk është thjesht ajo që ndodh kur pushon zjarri. Paqja është fillimi i transformimit”, tha ajo.
Presidentja Osmani theksoi se ky Forumi tenton ta ngrisë zërib që lufta u përpoq t’i heshte, për të fuqizuar ata që refuzuan të thyhen dhe për të ndërtuar të ardhme përkundër dhimbjes.
“Kosova qëndron sot këtu jo si një model i përkryer, por si një dëshmi e gjallë e asaj që është e mundur kur paqja është e pranishme. Ne u ngritëm nga hiri. Ne e shndërruam traumën në politika. E shndërruam dhunën në forcë”, tha ajo.
Tutje ajo theksoi se “Kurrë më”, “Do të bëhet më shumë se një moto, vetëm kur ‘kurrë më’ do të thotë të refuzosh armët si zgjidhje dhe të zgjedhësh dialogun… Sepse fëmijët tanë e meritojnë. Sepse të gjithë fëmijët në botë e meritojnë. Ata meritojnë të kenë një fëmijëri që jetohet, jo që u vidhet. Ata meritojnë të rriten, të ëndërrojnë dhe të lulëzojnë… Sepse nuk ka asgjë më të vlefshme sesa të luftosh për paqe. Sepse paqja është themeli i gjithçkaje për të cilën përpiqemi”, tha ajo.