Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka falënderuar administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, për mbështetje ndaj Kosovës.
Osmani, në një konferencë për media pas takimit me Power, deklaroi se kontributi i USAID-it është shembull i përkushtimit të Amerikës për Kosovën.
“Kontributi i USAID-it është një nga shembujt më të fortë të përkushtimit të palëkundur të SHBA-ve për ta ndihmuar Kosovën drejtë suksese, për më shumë se dy dekada na kanë qëndruar pranë duke mbështetur gratë, rininë, bizneset si dhe kanë ndihmuar përpjekjet tona për ta forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit” u shpreh Osmani.
Osmani, mes tjerash, ka vlerësuar edhe shpalljen e ankandit të parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100MW.
“Ndërsa nga dje na ndihmuan të bëjmë një hap të sigurtë në rrugën tonë të tranzicionit energjik”, tha Osmani.
Tutje, e para e shtetit tha se ka kënaqësi të veçantë që të pres Power pas 24 vjetësh në Kosovë.
“Për Kosovën dhe qytetarët e saj ju keni qenë dhe mbeteni një mike e çmuar siç është gjithnjë në kënaqësi e jashtëzakonshme të presim miqtë tanë nga ShBA-ja veçanërisht kur presim miq që kanë lidhje kaq të forta me popullin tonë dhe kuptojnë historinë tonë e rrugëtimin tonë pakompromis drejt një shtetit të pavarur e demokracie të fortë”.
“Sot administratorja Power viziton Republikën e Kosovës si udhëheqëse e USAID, 24 vjet pas luftës që ishte si reportere e luftës duke raportuar të vërtetën e popullit tonë” u shpreh Osmani.