Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbajë sot takim konsultativ me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve në vend, raporton Gazeta “Enigma”.
Takimi është paralajmëruar të nis në ora 14:00 në një sallë të Kuvendit të Kosovës.
Partitë politike tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen, teksa kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri aktual Albin Kurti, ka refuzuar të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja Osmani.
Siç raportohet, Kurti është kryetari i vetëm nga partitë politike që ka refuzuar të marrë pjesë në këtë takim.
Osmani u ka dërguar një letër liderëve të partive, në të cilën ka shkruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.
“Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”. /Gazeta Enigma/