Osmani takohet me ambasadorin e ShBA-së

Osmani takohet me ambasadorin e ShBA-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, në një takim të rregullt.

Ky takim u zhvillua në kuadër të marrëdhënieve të përhershme dhe të ngushta mes Kosovës dhe SHBA-së, dhe ka shërbyer si mundësi për shkëmbimin e mendimeve mbi zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, shkruan Gazeta Enigma.

Në këtë takim është biseduar për zhvillimet e fundit, situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, forcimin e bashkëpunimit dhe ndryshimet në administratën amerikane pas zgjedhjeve presidenciale.

“Në raport me ndryshimet në administratën amerikane si rezultat i zgjedhjeve të fundit, Presidentja Osmani përsëriti urimet e Kosovës për Presidentin Trump dhe kabinetin e tij, teksa theksoi se aleanca e Kosovës me SHBA-të është ekzistenciale, ndaj shfaqi shpresën që edhe me administratën e re do të vazhdojë bashkëpunimi i shkëlqyeshëm dhe se Kosova edhe më tej do të mbetet në fokusin amerikan”, thuhej në një njoftim të presidencës së Kosovës./GazetaEnigma/

Related Articles