Presidentja Vjosa Osmani ka qenë pjesë e një audience private me Papa Leonin XIV, në Selinë e Shenjtë.
Osmani tha se gjatë takimit i përcolli sërish urimet më të përzemërta për fillimin e misionit të tij, si dhe shpresën që pontifikati i tij të sjellë dritë, kurajë dhe mbështetje për njerëzit në nevojë anembanë botës.
“Përcolla poashtu ftesën e përzemërt për një vizitë të tij në Republikën e Kosovës, e cila do të pritej me shumë dashamirësi nga të gjithë qytetarët tanë”, shkroi Osmani në një postim.
Dyshja po ashtu biseduan për rolin e Kosovës, “tokës sonë dardane, si vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare mbi përvojën e saj historike të qëndresës dhe sakrificës”.
“Diskutuam gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit në fusha që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve tanë, me shpresën që Selia e Shenjtë do të marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës”.
“Kosova mbetet e përkushtuar t’i forcojë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe ta avancojë miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë. Në frymën e festës së Krishtlindjes, ndamë dëshirat e përbashkëta për paqe e harmoni në gjithë botën”, u shpreh e para e vendit.
