Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Turqi, në Stamboll ka marrë pjesë në shënimin e 14- vjetorit të pavarësisë së Kosovës në një aktivitet të organizuar nga studentët kosovarë dhe shoqatat e mërgatës.
Ndërkaq nën organizim të Konsullatës së Kosovës në Stamboll, Osmani është takuar me përfaqësues të mërgatës, bizneseve dhe studentëve.
Në fjalën e saj, në aktivitetin me studentë dhe shoqata të mërgimtarëve, Osmani ka çmuar lart kontributin e mërgatës në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova.
“E di që mallin për atdhe e keni secili prej jush dhe të çdoditshëm, siç e di që mundi, djersa dhe sakrifica juaj që ne sot ta gëzojmë lirinë dhe pavarësinë nuk kanë munguar kurrë. Kosova mbijetoi edhe shkaku i juve, shkaku i kontributit të mërgatës kudo në botë, përfshirë në Turqi”, ka theksuar Osmani.
Ajo e ka quajtur mërgatën “shpirti dhe zemra e Kosovës”, teksa ka shfaqur bindjen se me mbështetjen e saj, Kosova do të vazhdojë të shënojë suksese.
“Kosova do të ketë sukses, sepse ju tash e tutje do ta shihni si vend ku nuk vini vetëm t`i shihni të afërmit tuaj, por do ta shihni edhe vend potencial për investim”.
Ndërkaq në takimin me përfaqësues të shoqatave të mërgatës, bizneseve dhe studentëve, të organizuar ngas Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll, Osmani e ka cilësuar mërgatën si ambasadoren më të mirë të shtetit të Kosovës.
“Për Kosovën është shumë e qartë se një mërgatë e angazhuar dhe mirë e integruar është një pasuri dhe një faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë. Shtëpia juaj mbetet përherë Kosova, ndërsa ju vazhdoni ta nderoni e ta ngrisni gjithnjë e më lartë emrin e vendit tonë në çdo cep të botës ku jetoni e veproni. Për këtë u jemi mirënjohës përherë”, është shprehur Osmani.
Në këtë kontekst, ka theksuar se mërgata përtej kontributit financiar ka rol në zhvillimin e Kosovës, si investitorë kryesorë të drejtpërdrejtë në industritë kritike dhe ato në zhvillim./Gazeta Enigma/