Presidentja Vjosa Osmani priti në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend me fokus në çështjet e sigurisë, por edhe tema të tjera të interesit të përbashkët.
Në prag të debatit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për pritshmëritë nga ky debat, raporton Klan Kosova.
Në këtë takim, prezente ishte edhe drejtoresha e re e USAID, Eileen Devitt, të cilën Presidentja Osmani e uroi për pozitën e re.
Ajo shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e USAID dhe konfirmoi rëndësinë e projekteve të mbështetura nga USAID të cilat sipas saj, kontribuojnë në përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve.
Osmani konfirmoi gatishmërinë për vijim të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm si dhe deri më tash, duke vënë theksin tek mundësitë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi gjithnjë e më shumë.
Debati për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara pritet të mbahet më 23 tetor në Nju-Jork.