Osmani: Të punojmë me SHBA-në për ta mbrojtur çdo pëllëmb të territorit, punët e mëdha duhet t’i bëjmë bashkë

Osmani: Të punojmë me SHBA-në për ta mbrojtur çdo pëllëmb të territorit, punët e mëdha duhet t’i bëjmë bashkë

Presidentja Vjosa Osmani tha se Kosova duhet që në bashkëpunim me aleatin kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të sigurohet që territori dhe qytetarët e saj të jenë të mbrojtur.

E pyetur për vërejtjet e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për Qeverinë e Kosovës, Osmani tha se për sigurinë dhe çështje të tjera të mëdha duhet bashkëpunim me SHBA-në.

“Të jemi shumë të sinqertë – Kosova ka probleme shumë më të mëdha. Ndër të tjera, problemet e sigurisë. Sigurimi i kufirit nga Serbia, e cila vazhdimisht mendon se si ta sulmojë Kosovën. Kështu që secili prej nesh duhet të ulemi bashkë me aleatët tanë, përfshirë aleatin kryesor, Shtetet e Bashkuara, dhe të sigurohemi që mbrohet çdo pëllëmb e territorit tonë dhe çdo qytetar i Republikës sonë. Për ta arrritur këtë, duhet të punojmë bashkë me aleatët dhe kjo nuk është njëgjë që ka dikush në Kosovë që nuk e di. Secili qytetar i Republikës së Kosovës e di këtë fakt kaq të qartë, që për ta mbrojtur Kosovën, kufijtë e saj, sigurinë e saj, ne duhet të bashkëpunojmë me aleatët tanë të sigurisë”, tha Osmani në Lipjan, ku ishte për vizitë.

Presidentja e shmangu disi kërkesën e gazetarëve për të komentuar fjalët që Escobar i tha javën e kaluar për të dhe për kryeministrin Albin Kurti. Por ajo kujtoi se Kosova është shtet, ndër tjerash, edhe për shkak të përkrahjes nga aleatët.

“Unë mund të komentoj qasjen që e kam unë si presidente e Republikës me të gjitha institucionet brenda vendit, por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Republika e Kosovës është shtet që ka lindë shkaku i sakrificës së popullit të Kosovës, luftës sonë çlirimtare, rezistencës shumëvjeçare, e njëkohësisht për shkak të përkrahjes, do të thoja, historike, që e kemi marrë nga aleatët tanë. Ne këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë, sepse nuk ka qenë vetëm përkrahje e njëhershme, pra vetëm në vitin ’99, por çdo hap përpara që Kosova e ka bërë, e ka bërë bashkë me aleatët euroatlantikë dhe ne duhet të qëndrojmë në këtë rrugë. Punët e mëdha gjithmonë i kemi bërë bashkë. Punët e mëdha duhet t’i bëjmë bashkë edhe tash e tutje”, tha Osmani.

Related Articles