Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar 113-vjetorin e Kongresit të Manastirit ose Kongresit të Alfabetit.
Ajo tha se gjuha shqipe është e lidhur ngushtë me ekzistencën kombëtare.
“Gjuha shqipe është e lidhur ngushtë me ekzistencën kombëtare tonën, ndaj sot e kujtojmë me respekt veprën e 50 delegatëve nga 26 qytete të ndryshme, shoqata e klube, të cilët më 1908 në Manastir u bënë bashkë rreth vlerës sonë identitare- gjuhës shqipe”, shkroi Osmani në llogarinë e saj në Facebook.
Më tej, e para e shtetit tha se alfabeti ofroi shqiptarët jo vetëm ndër vete, por edhe me Evropën, që sipas saj, ky synim po jetësohet edhe sot.
“Me këtë alfabet u bë edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, ndaj gjuhën tonë duhet ta ruajmë, ta duam e ta kultivojmë, sepse siç thotë pjesëmarrësi i Kongresit të Manastirit, Mit`hat Frashëri: Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe”, shkroi Osmani./Gazeta Enigma/