Presidentja Vjosa Osmani ka përgëzuar Shqipërinë për hapjen e kapitujve të ri në rrugën drejt anëtarësimit në familjen e madhe evropiane.
“Urime Shqipërisë për arritjen e një momenti historik të madh në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE! Hapja e kapitujve të anëtarësimit në BE e sjell Shqipërinë një hap më pranë një të ardhmeje më të ndritshme dhe më të begatë për të gjithë qytetarët e saj”, shkroi Osmani në një postim në X.
E para e shtetit tha se edhe Kosova bashkë me Shqipërinë dhe vendet e tjera “demokratike” të rajonit, duhet të vazhdojnë të punojnë për anëtarësim në BE.
“Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera demokratike në rajonin tonë duhet të vazhdojnë të përparojnë në rrugët e tyre drejt BE-së, e cila është thelbësore për sigurimin e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm – jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Evropën”, shkroi Osmani. /Gazeta Enigma