Edhe Organizata e Veteranëve të Luftës ka reaguar ndaj skeçit të humoristit Vedat Bajrami, ku e imiton Jakup Krasniqin, i cili aktualisht gjendet në paraburgim në Hagë.
Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të OVL-së së UÇK-së, në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se Jakup Krasniqi ka dhënë kontribut të madh me dekada që ne të shprehemi lirshëm, por liria e shprehjes nuk duhet të keqpërdoret nga askush.
Sipas Klinakut, të flasësh për dikë që është i pafuqishëm, sidomos kur është në burg është ligësi e madhe.
“Stupcat, nuk është hera e parë që tallen me UÇK-në dhe figurat e saj, dhe për këtë iu kam reaguar para gjashtë viteve. Të flasësh për dikë që është i pafuqishëm, e sidomos kur është në burg, është ligësi e madhe. Jakup Krasniqi ka dhënë kontribut të madh me dekada që ne të shprehemi lirshëm, por ajo liri e shprehjes nuk duhet të keqpërdoret nga askush. Neve si shoqëri, e harrojmë shpejt të kaluarën, duke pasur parasysh se çfarë na kanë bërë pushtuesit. Në këtë drejtim, në vend se të jemi më nacionalist, neve tallemi me vlerat tona kombëtare siç është UÇK”, ka thënë Klinaku për Demokracia.com.
Ndaj videos së publikuar nga humoristi Vedat Bajrami ka reaguar edhe Gresa Krasniqi, vajza e Jakup Krasniqi.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka shkruar se nëse përmes asaj video Vedati ka dashur të shprehë mirënjohjen për Krasniqin dhe të burgosurit e tjerë në Hagë, ajo ishte huqje totale.
Sipas saj, ato imazhe ishin turpi më i madh që një qytetar i Kosovës mund të bëjë për një njeri që sakrifikoi vitet më të mira të jetës.