“Pa e njohur Serbia Kosovën, ‘Ballkani i hapur’ është ide e dështuar”

“Pa e njohur Serbia Kosovën, ‘Ballkani i hapur’ është ide e dështuar”

“Kosova asesi nuk duhet të bëhet pjesë e kësaj nisme, sepse dëmet do të jenë jashtëzakonisht të mëdha, duke pasur parasysh edhe brishtësinë ekonomike në të cilën gjendet vendi në kuvendi në këtë kohë”, shkruan Gazeta Enigma.

Kështu ka thënë për Gazetën ‘Enigma’ deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili theksoi se nisma “Ballkani i Hapur” e cila si ide burimin e ka në Beograd.

“Kjo nismë më së shumti i konvenon shtetit të Serbisë,duke pas parasysh që Serbia në krahahasim me shtetet e tjera të cilat janë pjesë e kësaj nisme qëndron më e fortë ekonomikisht. Pra Serbia përmes kësaj nisme po tenton të krijojë një Jugosllavi të re,veçse të bazuar në terma ekonomikë”, ka theksuar Lekaj.

Nisma “Ballkan i Hapur” e dëmton Kosovën

Ndërsa, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Nazmi Maliqi, për Gazetën ‘Enigma’ ka thënë se pa njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë nuk ka asnjë kuptim.

“Kjo ide është e papërpunuar dhe e nxituar e liderëve lokalë me qëllim që të defokusojnë opinionin nga situatat e brendshme. Nëse Mini-Shengeni Ballkanik do të bazohej në shembullin e Shengenit evropian, do të duhej të fillonte me zgjidhjen e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë, njohjen e ndërsjelltë. Si mund të bisedohet për Ballkanin e hapur, kur akoma Kosova figuron në Kushtetutën e Serbisë, si pjesë e saj. Pa njohjen e Kosovës kjo nismë rajonale nuk ka asnjë kuptim”, tha ai.

Maliqi, tutje ka theksuar se kjo nismë ka një porosi të aktrimit apo edhe ndihmës kriminaliteti të organizuar, sesa që ka një fundament.

“Ballkani i Hapur” ngjan më shumë në një Ballkan të hapur për ndikimet nga Lindja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar pas formimit të kësaj nisme, ka theksuar se problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor mbetet mos përballja me të kaluarën.

“Në veçanti nuk mund të them se jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’, pasi duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina si dhe Ballkan i hapur për autokracinë,  Ballkan i hapur për korrupsionin, Ballkan i hapur për kriminelët e luftës të cilët, siç e dimë të gjithë ne, vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por jo pak prej tyre edhe në pushtet”, tha Kurti.

Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se kjo nismë krijon ide të rrezikshme për Kosovën.

“Në këtë iniciativë Kosova është partner i barabartë me pesë shtetet e tjera të Ballkanit dhe ne konsiderojmë se hapja e iniciativave paralele, të cilat në thelb nuk paraqesin diçka të re, është e rrezikshme për atë se si ne e shohim veten në rajon, por edhe si shihemi nga BE-ja”, tha Gërvalla-Schwarz.

Ndryshe, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut synojnë të heqin kontrollet në kufijtë e tyre për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, duke filluar nga 1 janari i vitit 2023, një nismë kjo që të enjten e ndryshoi zyrtarisht emrin në “Ballkani i hapur”.

Ndërsa, Kosova ka refuzuar të marrë pjesë në këtë nismë.

Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, që u paraqit në Novi Sad të Serbisë në tetor të vitit 2019, asnjëherë nuk ka siguruar mbështetje të rëndësishme në Kosovë, por as në Mal të Zi dhe në Bosnje, tri nga gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit që aspirojnë integrimet evropiane.

/Gazeta Enigma/.

Related Articles