“Pa vend” është tituli i filmit Kosovar që hynë në konkurrencë zyrtare të Festivalit të Kanës për “Palma e Artë”

“Pa vend” është tituli i filmit Kosovar që hynë në konkurrencë zyrtare të Festivalit të Kanës për “Palma e Artë”

Pas filmit debutues që “theu akullin” dhe arriti të fus filmin e parë të Kosovës në Berlinale, filmi i dytë i regjisorit Samir Karahoda bëhet filmi i parë nga Kosova që përzgjedhet në mesin e 10 filmave të shkurtë që do të garoj për ‘Palmën e Artë’ në garën zyrtare të festivalit më prestigjioz në botë, atë të Kanës.

Filmi ‘Pa Vend’ që filloi xhirimet në muajin shtator të vitit të kaluar, sjell rrëfimin e klubit më të suksesshëm të ping-pongut nga Prizreni ‘Lidhja e Prizrenit’, duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme. Filmi i zhanrit docu-fiction përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifati që të mbajnë sportin e ping-pongut gjallë duke zhvilluar gjenerata të reja.

‘Personalisht i uroj dhe përgëzoj anëtarët e klubit të ping pongut “Lidhja e Prizrenit” në krye me trajnerin Rifat Rifati për sukseset e tyre pavarësisht rrethanave të cilët akoma vazhdojnë stërvitjet në kushte jonormale.

Është një histori unike, një rrëfim për dashurinë ndaj sportit dhe një luftë e heshtur ndaj diskriminimit. Vlerësimi nga një festival siç është Cannes na bënë edhe më krenar si ekip dhe dua t’i falenderoj të gjithë për kontributet e tyre individuale’ theksoi regjisori Karahoda.

“Qasja jonë ndaj këtij rrëfimi na jep hapësirë për të shprehur shqetësimin tonë si shoqëri për një ndjenjë të përgjithshme të pashpresës që përshkon jetën tonë dhe me të cilën ballafaqohemi edhe sot. Kjo ngjarje fillon diku në vitin 2005, duke na dërguar në ato ditë kur stërvitjet për zhvillimin e këtij sporti janë mbajtur vetëm falë entuziazmit të patriotëve të vërtetë, siç janë Jetoni, Ermegani, Rifati e shumë të tjerë.

Linku i Faqes se Festivalit prestigjioz “Festival de Cannes”:

PA VEND NË KANË, NË KONKURENCË PËR PALMËN E ARTË Pas filmit debutues që theu akullin dhe arriti të fus filmin e parë…Posted by Qendra Kinematografike e Kosoves on Tuesday, June 15, 2021

Në një rrugëtim të veçantë kinematografik, ky film na sjell në ditët e sotme, duke vënë në pah ngecjen dhe injorimin e institucioneve karshi sporteve të vogla, solidarizimin qytetar dhe këmbënguljen kundrejt dorëzimit, thot ai, duke shtuar.

“Ne arritëm të krijojmë një lidhje të veçantë me gjithë ekipin e ping-pongut që ishte pjesë e produksionit. Edhe me gjeneratat e vjetra, edhe me talentët e rinj.

Një gjë që na bashkonte ishte dëshira e madhe që të bëjmë më të mirën sipas mundësive tona.” tha producenti Eroll Bilibani, duke vazhduar, “në korrik, në tapetin e kuq të Kanës ekipi ynë i filmit dhe ping-pongistët që asnjëherë nuk u ‘dorëzuan’ do të ecin në tapetin ku kanë lënë gjurmë Bekim Fehmiu e Arta Dobroshi. Por, këtë herë është me një film nga Kosova, që është duke i vendos themelet e valës së re të filmit nga një vend i vogël me ëndrra të mëdha”.

Sinopsisi i filmit:

Të nxitur nga ambicia për të mbajtur gjallë sportin e tyre të dashur, dy lojtarë vendas me ndihmën e trajnerit enden nga një vend në tjetrin, duke mbajtur të vetmet pasuri të klubit, tavolinat e tyre.

Ekipi i filmit përbëhet nga:

Regjia dhe Kinematografia: Samir Karahoda

Producent: Eroll Bilibani

Montazhi: Enis Saraçi

Dizajner zëri: Memli Kelmendi

Xhirues Zëri: Gëzim Rama

Protagonistët kryesor: Jeton Mazreku, Ermegan Kazazi dhe Rifat Rifati

Filmi është produksion i shtëpisë filmike SK PICTURES dhe është mbështetur nga:

Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prishtinës, Komuna e Prizrenit, Mabetex Group, TV Arte, TV Yle, Dokufest dhe distribuohet nga Radiator IP Sales.

Related Articles